“Është shumë i fortë”, Zlatko Daliç: Ju tregoj sekretet e Rebiçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 17, 2020 | 18:38


“Është shumë i fortë”, Zlatko Daliç: Ju tregoj sekretet e Rebiçit

Protagonist te Kroacia në Botëror, me gol kundër Argjentinës dhe titullar në finale. Një vit pas kësaj arritjeje, Ante Rebiç zbarkoi te Milani ku u shndërrua në rezervë të rezervës me 179 minuta në total në 4 muaj. 2020-ta ka qenë krejt ndryshe, me 8 prezenca, 522 minuta në fushë e sidomos 5 gola e një asist. 

Ante-Rebić-Zlatko-Dalić

Praktikisht, kroati çdo 87 minuta shpik diçka për kuqezinjtë, ndaj edhe Zlatko Daliç nuk heq dorë prej tij. Trajneri nënkampion bote, me një të kaluar te Dinamoja e Tiranës, ka folur për sulmuesin e Milanit në një intervistë ekskluzive për “La Gazzetta dello Sport”.

Daliç, çfarë mendoni për evolucionin e Rebiçit? 

Nuk habitem aspak sepse ia njoh cilësitë. E di se çfarë mund të japë dhe ndeshjet e fundit janë prova e vlerës së tij. Kur nuk luante habitesha, megjithatë ia faturoja ambientimit.

Përse vuajti aq shumë?

Kampionat i ri, klub tjetër, zakone të ndryshme. Një periudhë ambientimi i duhet kujtdo, aq më tepër që në fillim Ante aktivizohej si sulmues i dytë, ndërkohë që është sulmues krahu. Versioni i tij më i mirë është kur luan në krah, aq më tepër që ka nevojë të ndjejë besim, si nga trajneri dhe nga tifozët, elementë që tashmë nuk i mungojnë.

A është ende në nivelet e Botërorit?

Mund të bëjë dallimin kurdo e kudo dhe po e tregon me fakte. Është shumë i fortë e tani që ka fituar vetëdije mund të përmirësohet. Ka forcë, është i shpejtë dhe nëse është në gjendje optimale askush nuk e ndal dot.

 Sa ndikon të pasurit një koleg sulmi si Zlatan Ibrahimoviçi?

Shumë, sepse Ibra tërheq vëmendjen e rivalëve mbi vete dhe Rebiç mund të ketë më tepër hapësira, në të cilat di se si të lëvizë sipas nevojës së trajnerit. Di edhe të përfitojë siç e dëshmojnë golat e fundit.

Së shpejti do ta keni nën urdhrat tuaja te Kroacia… 

Më vjen mirë që do ta kem në formë kaq të mirë, edhe sepse ia kam nevojën. Është nga ata lojtarë që të shpërben besimin. Në Kroaci e kritikonin shpesh kohët e fundit siç më kritikonin edhe mua sa herë e grumbulloja në kombëtare megjithëse nuk luante te Milani.

A ju pëlqen Milani kroat i Rebiçit dhe Zvone Bobanit? 

Një ekip nuk mund të transformohet në pak muaj. Nëse quhesh Milan, gjërat janë edhe më të ndërlikuara sepse të gjithë kanë pritshmëri si ato të së kaluarës. Boban e di mirë, sepse ka qenë pjesë e Milanit të lavdishëm dhe e kupton se çfarë i duhet ekipit aktual. Të blesh lojtarë e t’i shohësh të bëhen kampionë është një proces që ka nevojë për kohë.

Sa?

Minimalisht 2-3 vite sepse në 6 muaj është e pamendueshme. Gjysmëviti është shumë pak, edhe për dikë si miku im Zvone.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com