“Është ndeshje vendimtare”, Hugo premton gol, Agim Canaj: E thyejmë Bylisin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2022 | 11:07

“Është ndeshje vendimtare”, Hugo premton gol, Agim Canaj: E thyejmë Bylisin!

Lushnja kërkon që t’u largohet njëherë mirë telasheve. Që të ndodhë kjo, duhet të kalojnë fillimisht pengesën me emrin “Bylis”. Sot në orën 14:00 presin në “Roza Haxhiu” kryesuesit dhe llogaritë bëhen me fitore.

AGIM CANAJ

Edhe pse me mungesa e dyshime, misioni mbetet i njëjtë. Mikel Canka dhe Arbër Mone nuk llogariten as këtë herë për formacion, ndërsa zyrtarisht “out” janë Xhonatan Lajthia dhe Ledion Xhymerti.

Që të dy mesfushorët po vuajnë dëmtime në gju dhe nuk janë stërvitur fare gjatë kësaj jave. E megjithatë, për golat mendon Hugo da Silva. Braziliani premton se do të ndëshkojë ballshiotët, ndërsa shkurtimisht për gazetën deklaroi:

“Jemi gati. Kjo fazë ka folur për ne, ndaj edhe me kryesuesit do ia dalim. I përgatitur për gol dhe fitore”.

TRAJNERI

Priten afro 4 mijë tifozë, por Agim Canaj do një stadium të tejmbushur. E cilëson këtë ndeshje vendimtare për fatet e Lushnjës, ndaj hapur fton tifozët. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, qartëson se një trepikësh do t’i mbante larg “play out”-it, ndërsa kundërshtarin e quan të thyeshëm. “Luajmë me kryesuesen dhe interesimi është shumë i madh.

Situata jonë dihet, na duhen pikët. Është një ndeshje që kërkon përqendrim maksimal. Bylisi është një skuadër cilësore dhe gabimet na ndalohen.

Jemi përgatitur gjatë gjithë javës, duke mos mbivlerësuar dhe as nënvlerësojmë veten. E shohim veten si të barabartë, pasi nuk ka asgjë që nuk arrihet.

Kjo ndeshje është shumë vendimtare, ndaj kemi kërkuar edhe mbështetjen e tifozëve. Kemi nevojë për ta. Bylisi ka pësuar humbje gjatë këtij sezoni, domethënë është ekip i thyeshëm.

Për ne janë shumë të rëndësishme pikët, por asnjëherë nuk duhet të jemi nën presionin e tyre, sepse duke pasur këtë, ndonjëherë edhe zhbalancohemi. Luajmë në fushën tonë dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Duhet të jemi të duruar, sepse futbolli luhet deri në fund, pra kur dëgjohet vërshëllima për të filluar dhe për të mbaruar.

Fitoret të sjellin qetësi dhe vetëbesim. Edhe ndeshja e fundit këtë bëri. Pavarësisht si erdhën situatat, morëm një pikë të vlefshme. Na rrit besimin dhe sigurinë që edhe kur jemi në disavantazh, ne kemi mundësi që të rikthejmë rezultatin. Sikurse ishte ndeshja me Tomorin, që u përmbys brenda një pjese loje.

Kjo është situata në përgjithësi e Kategorisë së Parë. Kur ti je në momentin ‘po’ dhe në formën tënde, atëherë thyen çdo skuadër”, përfundoi trajneri i Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"