Është kthyer në lojtar vendimtar, Gruda: Ky pozicion nuk i përket Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 22:34

Është kthyer në lojtar vendimtar, Gruda: Ky pozicion nuk i përket Teutës

Ildi Gruda është njeriu i që i dhuroi Teutës kalimin në çerekfinale të Kupës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gruda pohoi se fitorja ishte e merituar dhe ky sukses do t’i shërbejë Teutës për të mbajtur lart moralin.

GRUDA TEUTA

Ildi, sa ka shërbyer kalimi në çerekfinale për moralin e ekipit?
I lumtur me kalimin në çerekfinale të Kupës, tani duhet të bëjmë kthesa në kampionat e përveçse na shërben për të kaluar turin, ka rritur së tepërmi atmosferën para takimit me Bylisin. Duhet të ndryshojmë marshin dhe tani kemi një sfidë shumë të rëndësishme, e cila duhet fituar dhe të ruajmë vazhdimësinë, por dhe të dalim nga zona e ftohtë.

Jeni bërë një lojtar vendimtar, jo vetëm duke shënuar, por dhe keni marrë disa penallti. Në çfarë pozicioni ndihet më mirë Gruda?
Në radhë të parë është kënaqësi kur shënon dhe për më tepër kur e feston me kualifikim. Por mund të them se kjo nuk ka qenë vetëm merita ime, por edhe e gjithë ekipit me të cilin unë punoj. Besoj që deri tani kam bërë mirë, gjithsesi unë jam me këmbë në tokë. Pak rëndësi ka pozicioni, unë luaj ku të këtë nevojë skuadra. Kam luajtur dhe si sulmues, por dhe në krahë ndihem mirë.

Si po e përgatisni duelin ndaj Bylisit?
Po punohet intensivisht për të  qenë gati. Kundërshtari duhet vlerësuar maksimalisht. Pasi vijnë nga një ecuri e mirë në këto ndeshje, ata mund të na vendosin në vështirësi. Megjithatë, kam bindjen se si unë dhe shokët jemi gati për të bërë më të mirën dhe të dalim fitues, por edhe gjendja e mirë e grupit shton shanset e kthesës ndaj Bylisit.

A mund ta quajmë si finale ndeshjen me Bylisin?
Përpos renditjes, ndeshja me Bylisin do të jetë e bukur dhe e vështirë. Kjo, për vetë faktin se Bylisi ka një skuadër cilësore dhe me lojtarë që japin maksimumin në të tilla përballje. Për këtë motiv duhet që të jemi më shumë se të përqendruar, nga fillimi deri në fund të lojës. Ndërsa, për sa i përket renditjes, mbetet një tjetër anë që e ndërlikon këtë 90-minutësh.

Kujt i bëjnë më shumë punë pikët?
Nuk dua të mendoj për kundërshtarin, pasi asnjëherë nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Ne mendojmë vetëm për veten tonë dhe kjo na ka ndihmuar të ecim përpara. Na nevojitet mjaft ky trepikësh, pasi duam të ngjisim shkallët në renditje. Vendi ku jemi në kampionat nuk i shkon për shtat Teutës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"