Është kritikuar për festimet e tepruara në fushë, Vinicius: Nuk ndalem së kërcyeri, radhën e ka… Atletiko

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2022 | 9:49

Është kritikuar për festimet e tepruara në fushë, Vinicius: Nuk ndalem së kërcyeri, radhën e ka… Atletiko

Vinicius Zhunior është kthyer në një per sonazh mjaft karizmatik dhe i dashur për tifozët e Realit të Madridit. Kanë qenë ata që e kanë votuar sulmuesin si lojtarin më të mirë të Realit për gushtin, pas dy golave dhe pasimeve për gol në 3 takime të luajtur atë muaj. Dje, ai ka tërhequr çmimin e veçantë, teksa ka dhënë përshtypjet e tij për nisjen e sezonit te Reali, objektivat dhe natyrisht derbin e së dielës kundër Atletikos në “Metropolitano”.

vinicius 1

“Personalisht e kam nisur mirë sezonin dhe jam i kënaqur. Objektivi im është të ruaj nivelin e sezonit të kaluar dhe pse jo të përmirësohem”, ka thënë fillimisht ai. Në mungesë të kapitenit Karim Benzema, barra e sulmit të Realit në një farë mënyre ka rënë mbi shpatullat e brazilianit dhe ai nuk i shmanget përgjegjësisë.

Kjo dhe falë mbështetjes që i ka dhënë trajneri Ançeloti. “Kam besimin e plotë të tij. Gjithnjë më udhëzon të jem i qetë para porte dhe kam vënë re përmirësime. Unë po punoj fort çdo ditë për t’u përmirësuar. Në fakt po punojmë të gjithë”, ka thënë sulmuesi i “Los Blancos”.

ÇELËSI I SUKSESIT – Teksa Reali vazhdon të fitojë e marshojë, të gjithë ngrenë pyetjen e radhës për të mësuar çelësin e suksesit të skuadrës së Ançelotit. Vinicius e ka një shpjegim dhe për këtë.

“Nuk ka ndonjë histori të jashtëzakonshme prapa ecurisë sonë. Çelësi i suksesit tonë qëndron në radhë të parë tek puna e fortë që po bëjmë dhe më pas të gërshetimi i lojtarëve me më shumë eksperiencë dhe rinisë”, ka nënvizuar Vinicius.

Derbi dhe kërcimi – Reali e ka nisur sezonin me 8 fitore radhazi mes kupave të Europës dhe kampionatit spanjoll. Ndërsa nesër e pret një provim i vështirë, teksa do të përballet me rivalët e Madridit, Atletikon në derbin e parë të sezonit.

Braziliani ka deklaruar se është gati për këtë sfidë, ndërkohë që i është përgjigjur dhe “kërcënimeve” nga Koke për mënyrën e të festuarit. Ditët e fundit Vinicius është kritikuar për teprimin e festimeve në suksesin kundër Majorkës.

Por ai është i qetë. “Festimet e mia nuk kanë përse të shqetësojnë askënd. Nuk kam asnjë qëllim të ofendoj rivalët. Mënyra e të festuarit është diçka personale. Nuk kam ndër mend të ndalem së kërcyeri.

Tani e ka radhën Atletiko e Madridit. Kemi punuar fort për derbin dhe tani shkojmë për ta fituar atë”, ka paralajmëruar sulmuesi i Realit të Madridit.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"