“Është i duhuri për këtë skuadër”, Rumenige e pranon: Flik i dha fytyrë tjetër Bajernit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2019 | 23:36

“Është i duhuri për këtë skuadër”, Rumenige e pranon: Flik i dha fytyrë tjetër Bajernit

Bosi i skuadrës së Bajernit, Karl Hainc Rumenige, duket se i ka dhënë fjalën trajnerit aktual Hansi Flik për të vazhduar punën e tij në krye të skuadrës deri në qershor. “Për momentin kemi folur vetëm për dimrin.

Rumenige Flik

Më pas do të ulemi sërish në ndeshjen e fundit dhe do të flasim nëse do të bashkëpunojmë deri në fund të sezonit apo jo”, tha shefi i bordit ekzekutiv të bavarezëve pas një mbledhje ditën e djeshme në “Allianz Arena”. “Tek ai kemi gjetur trajnerin e duhur, i cili shkon mirë me skuadrën aktuale”.

Edhe pse Bajerni nuk arriti të fitonte në ndeshjen e së shtunës ndaj Leverkusen në shtëpi, Rumenige beson se kjo nuk do të ndryshojë asgjë në lidhje me vlerësimin që ka ai për Flik. “Ajo që më intereson është stili i lojës dhe mënyra se si skuadra arrin t’i luajë ndeshjet e saj. Sigurisht që do të ketë edhe ndeshje kur gjërat nuk do të shkojnë sipas planit, por kjo nuk do të thotë se skuadra dhe trajneri nuk kanë bërë një punë të mirë.

Kjo u pa edhe në ndeshjen e së shtunës ndaj Leverkusenit. Çfarë mund t’i thoshe ekipit kur dy herë topi u përplas në shtyllë dhe portieri mik bëri disa pritje të mrekullueshme. Ashtu siç e thashë edhe pas sfidës në Beograd, të gjithë këtu te Bajerni janë të kënaqur me punën që po bën Hansi Flik. Skuadra është kthyer te fitoret bindëse vetëm falë tij. Dhe kjo nuk do të kalojë pa u vënë re nga ne”.

Pyetjes nëse Flik do të qëndronte deri në verë, Rumenige iu përgjigj edhe njëherë: “Deri tani nuk kemi vendosur asgjë, por e sigurt është se do të flasim në qetësi pasi të kenë nisur pushimet dimërore. Nuk është e hijshme që këto gjëra të bisedohen tani në mesin e kampionatit, nuk i bën mirë skuadrës dhe shkakton shumë konfuzion te tifozët”.

Ndërkohë, të gjithë shifrat flasin për një punë të mirë të ish-ndihmësit të Niko Kovaçit dhe të Joakim Lëv te kombëtarja e Gjermanisë. Hansi Flik pësoi humbjen e parë pas 5 ndeshjesh shumë të mira me bavarezët duke përfshirë edhe atë në klasiken ndaj Borusia Dortmund para dy javësh.

Hapi fals me Leverkusenin duket se është hedhur pas krahëve edhe pse skuadra po humbet terren në luftën për titull me Gladbahun të shkëputur 4 pikë përpara. Ndeshja e radhës do të jetë një provë force për Flik dhe skuadrën e tij duke parë se përballë do të kenë pikërisht kryesuesit e Bundesligës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"