Është harruar nga Karlo Ançeloti, Barcelona gati të “joshë” objektivin e Milanit në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 15:45

Është harruar nga Karlo Ançeloti, Barcelona gati të “joshë” objektivin e Milanit në merkato

Barcelona nisi rindërtimin e thellë të skuadrës gjatë kësaj vere, por kjo nuk do të thotë se revolucioni i Ksavit ka përfunduar. Katalanasit do të vazhdojnë që të përmirësohen sa herë të shohin mundësitë që do të ofrojë tregu me lojtarë interesantë. Dhe sipas “Mundo Deportivo”-s, një prej këtyre emrave është edhe ai i rivalëve të Realit të Madridit, Marko Asensio.

asensio

Katalanasit janë duke monitoruar me shumë kujdes të ardhmen e sulmuesit spanjoll, i cili ka një kontratë deri në fund të sezonit në “Bernabeu”. Zërat për një largim të tij nga Reali dhe mungesën e një rinovimi kanë nisur që në verë.

Dhe as kampionët e Europës nuk e përjashtuan shitjen e ish-talentit të Majorkës në rast se në drejtim të tyre do të mbërrinte një ofertë e kënaqshme. Milani, Arsenali dhe Njukasëlli ishin disa nga klubet që u interesuan në verë, por në fund asgjë nuk u konkretizua dhe ai qëndroi në Madrid.

Në këtë fillim sezoni situata e tij në skuadër nuk është përmirësuar, ndërsa planet e Ançelotit për sulmin vijojnë me Viniciusin, Rodrigon dhe Valverden.

Janari do të jetë shansi i fundit që Reali të fitojë diçka nga shitja e lojtarit, përndryshe nëse hyn në 6 muajt e fundit të kontratës Asensio do të jetë i lirë për të negociuar me klubet e tjera dhe firmosur me parametër zero në verë.

Cilësitë e 26-vjeçarit flasin vetë, ashtu si 12 golat e tij sezonin e shkuar, kur ai kishte vetëm një rol zëvendësuesi.

Në horizont nuk ka asnjë sinjal rinovimi dhe katalanasit do të shfrytëzojnë edhe kontaktet e ngushta të presidentit të tyre Joan Laporta me menaxherin e sulmuesit, Zhorzh Mendesh, për të bërë një goditje të rëndësishme në merkato nga rivalët direkt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"