“Është e pafalshme të ndëshkohesh ashtu në fund”, Bizhdili “shkund” Besën: Dua pikë, dominimi dhe loja e mirë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2021 | 9:45

“Është e pafalshme të ndëshkohesh ashtu në fund”, Bizhdili “shkund” Besën: Dua pikë, dominimi dhe loja e mirë…

Nexhat Bizhdili “shkund” Besën. Vërtet skuadra po prodhon lojë dhe kjo nuk mohohet, por presidenti pret më shumë se kaq. Ka investuar për të mos e diskutuar ngjitjen, ndaj priste më shumë pikë pas 270 minutave të para. Kur jemi pak orë larg transfertës me Burrelin, numri një i klubit pret kthesën e madhe. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, analizon me detaje atë që ka ngjarë deri më tani dhe me shumë shqetësim ndalet te golat e pësuar.

Bizhdili-2

“Siç edhe e dini, kam investuar në merkato në të tria repartet dhe afrova futbollistë me përvojë. Kjo më bëri të besoj dhe pres rezultate pozitive. Bazuar në lojërat që kemi zhvilluar, të paktën duhet të kishim 7 pikë sot. Është e pafalshme që lojtarë me përvojë të pësojnë gola në fund, siç ndodhi qoftë me Cërrikun apo akoma më keq me Korabin, që na hoqi fitoren nga duart. Nga sa kam parë në këto 270 minuta, kam konstatuar se ekipi ndihet aq i sigurt dhe i fortë sa nënvlerëson kundërshtarët. Kanë një mentalitet se kanë mundësi dhe kohë të shënojnë dhe që janë të pandëshkueshëm. Ja që ky mentalitet vetëbesimi i tepruar na kushtoi jo pak. Vërtet Besa ime ka luajtur mjaft mirë dhe ka dominuar por ajo që mbetet janë golat e shënuar e për rrjedhojë pikët. Miq e kolegë, ndërsa kanë ndjekur ekipin në tribunë bashkë me mua, janë shprehur të kënaqur me lojën dhe grupin, por mua më interesojnë pikët, ato që realisht dëshmojnë se sa vlen. Nëse merr një pikë, loja dhe dominimi harrohen. Ua kam bërë të qartë futbollistëve se kërkoj që lojërat e mira të konkretizohen me gola pasi rastet i kemi krijuar të shumta”, tha fillimisht Bizhdili, duke skanuar me shumë detaje atë që ka parë tek ekipi.

TRANSFERTA ME BURRELIN

Duke u ndalur te ballafaqimi i sotëm, kreu i klubit verdhezi çmon Burrelin dhe pret që të njëjtin vlerësim të ketë edhe ekipi i tij. “Në këto 3 javë kemi kuptuar se çdo kundërshtar synon të marrë maksimumin, madje edhe atëherë kur beson se ndeshja ka mbaruar. Kur më pyesni për Burrelin, jua them sinqerisht e pa diplomaci se nuk janë ekip i ri në Kategorinë e Parë. Ata kanë një përvojë të gjatë. Nuk është hera e parë që luajmë kundër tyre dhe i njoh mirë.

Ata janë një ekip mjaft i fortë dhe janë në gjendje të mundin këdo. Na mbetet neve, pra Besës, që këtij vlerësimi real t’i përgjigjemi me një lojë po kaq të kujdesshme e dinjitoze. Në përballje si kjo me Burrelin kërkohet përqendrim, qetësi dhe pragmatizëm. Në transferta nuk mund të krijosh dhjetëra raste, por mjafton vlerësimi maksimal i një ose dy rasteve që t’ia dalësh. Përvoja e lojtarëve të sulmit, mesfushës dhe prapavijës nuk u mungon, ndaj besoj se do dinë të justifikojnë investimin që kam bërë këtë sezon”, përfundoi presidenti i Besës.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"