“Është bërë si kombëtarja e federatës dhe jo e shqiptarëve”, Halilaj debat me Starovën para Izraelit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 23:40


“Është bërë si kombëtarja e federatës dhe jo e shqiptarëve”, Halilaj debat me Starovën para Izraelit

Kombëtarja shqiptare ka dy ndeshje të rëndësishme kundër Izraelit dhe Islandës në Ligën e Kombeve. Kryeredaktori i “Panorama Sport” Jetmir Halilaj ngriti shqetësimin që skuadra duket shumë e shkëputur nga realiteti shqiptar. Jo vetëm sepse sot nuk ka asnjë futbollist nga kampionati vendës, por sepse një pjesë e madhe e futbollistëve janë shumë të shkëputur nga realiteti shqiptar. Janë djem që nën tutelën e ashpër të FSHF-së nuk flasin kurrë për Shqipërinë dhe për publikun shqiptar përtej gjuhës së drunjtë me të cilën komunikojnë në konferencat e shtypit. Sipas Halilajt Kombëtarja shqiptare ka nevojë që të t’i ketë të gjithë komponentët në rregull, të jetë e rrethuar nga një atmosferë pozitive dhe jo vetëm lojtarë që e trajtojnë kombëtaren si klub futbolli. Kjo nuk i ka pëlqyer trajnerit të njohur Sulejman Starova, i cili ka thënë se nuk është momenti të flitet për atmosferën në kombëtare para një ndeshjeje kaq të rëndësishme. Ja një pjesë nga debati në emisionin “Scaner” në MCN.

Starova-Halilaj

ÇARÇANI: Si e shikoni kombëtaren para këtyre dy ndeshjeve?

HALILAJ: Vështirësitë dihen, sepse ka disa mungesa të rëndësishme dhe kundërshtari nuk është edhe aq komod… Por unë mendoj se Shqipëria gjithsesi ka cilësi për t’ia dalë mbanë kundër Izraelit. Madje më shumë se sa mungesat më shqetëson atmosfera me të cilën është rrethuar kombëtarja shqiptare. Më duket se disa gjëra nuk janë menaxhuar si duhet për një kohë të gjatë dhe kjo ka ndikuar padyshim.

ÇARÇANI: Pse, çfarë nuk është menaxhuar mirë sipas jush?

HALILAJ: Së pari Gerti unë mendoj se Shqipëria duhet t’i ketë të gjitha gjërat mirë që të mund të arrijë rezultate dhe objektiva të mëdha. E tregoi këtë në Euro 2016, kur nuk kishte ndoshta kaq shumë cilësi sa sot, por kishte një grup të bashkuar dhe një atmosferë më të mirë. De Biazi mund të mos kishte CV-në dhe përvojën e Rejës, por ama kuptoi mirë mentalitetin tonë dhe të lojtarëve që drejtonte. Reja ka qenë më i ngurtë dhe më pak efikas në këtë pjesë.

ÇARÇANI: Pse çfarë nuk shkon konkretisht?

HALILAJ: Shikoni, po ju marr rastin se si u menaxhua Broja. Pra, ai është sulmues i Çelsit, kishte shënuar 12 gola në Holandë me Viteshen dhe diskutohej nëse do luante me Rejën apo jo?!! Sipas meje parimi në Kombëtare është i thjeshtë: luan ai që është në formë… Kaq. Këtu diskutohej Broja dhe trajneri nxirrte gjithfarë justifikimesh se pse nuk e aktivizonte… Kjo për mendimin tim nuk shkon. Pastaj ka edhe një gjë tjetër, sepse skuadra më duket kaq e distancuar… më duket si Kombëtarja e federatës jo e shqiptarëve.

ÇARÇANI (qesh): Pse Kombëtarja e federatës?

Sepse shumica e këtyre djemve nuk flasin kurrë për Shqipërinë, për tifozët, për lidhjet që kanë me këtë vend, për ndjesitë e tyre në raport me atdheun. Shumica flet gjithë vitin për klubet e tyre, flasin për portale madje edhe periferike për skudrën ku luajnë, por nuk flasin kurrë për Shqipërinë. Kjo më duket e çuditshme, e pahasur më parë. Mua si tifoz, por edhe shumë të tjerëve na duken shumë të largët lojtarët. Tjetër gjë dikur kur për ne Dede (që ju e keni në studio), Bulku, Bogdani, Salihi, Cana, Lala, Skela ishin më të afërt me publikun… Më të thjeshtë, më të prekshëm. Krijonin pak më shumë “kimi” me ata që blejnë biletën dhe shkojnë i ndjekin në stadium brenda dhe jashtë. Kështu më duket mua kjo kombëtare sot, shumë e “tuteluar” nga FSHF, shumë e distancuar me publikun dhe me realitetin shqiptar.

DEDE: Në fakt, parë nga ky këndvështrim, mendoj se është i drejtë deri diku konstatimi. Kombëtarja nuk është vetëm lojë futbolli, është edhe ndjeshmëri, edhe emocion. Mendoj se ka vend për diskutim në këtë pjesë.

STAROVA: Nuk jam dakord me këtë. Nuk e kam me Jetmirin personalisht, por e kam në parim. Më duket e pavend që sa herë flasim për Rejën, duhet të përmendim de Biazin. Ne këtu kemi dy ndeshje të rëndësishme para dhe në vend që të flasim për analiza taktike, për shanset që kemi dhe për punën që bëhet, po flasim nëse foli ndonjë lojtar apo nuk foli…

HALILAJ: Starova, unë nuk marr përsipër të bëj analiza taktike sepse nuk jam trajner, jam gazetar. Ju mund ta bëni dhe e bëni shumë mirë. Por nga eksperienca ime gjithë këto vite kam vënë re se kombëtarja shqiptare duhet të jetë e rrethuar nga një klimë më e mirë jo vetëm prej rezultateve, por edhe të raportit që ka skuadra kundrejt publikun. Më duket e çuditshme që shumica e lojtarëve gjatë gjithë vitit flasin vetëm për klubet e tyre dhe kurrë, ose shumë pak për Shqipërinë.

STAROVA: Nuk jam dakord, unë nuk vë fare në diskutim shpirtin e garës të kombëtares. Pjesa tjetër është devijim nga thelbi i çështjes, pra nga ndeshjet. Nuk i shërben ekipit ky diskutim.

HALILAJ: Profesor, ma shpjegon dot se përse kur përmendet sot Foto Strakosha njerëzit e komentojnë dhe u shkëlqen fytyra, apo kanë dëshirë të dëgjojnë kur flet ai? Ndërkohë, Thomasi, i biri, që është padyshim një djalë i shkëlqyer dhe një portier fantastik, nuk ka këtë impakt në publikun shqiptar… Pse? Për mua është e rëndësishme që të ketë edhe një raport njerëzor pak më të ngrohtë mes skuadrës dhe tifozëve, jo kaq “robot”: vijmë, luajmë, ikim. Jemi vend i vogël, kemi nevojë për pak entuziazëm, për pak sinergji pozitive…

STAROVA: Nuk më bind kjo, jo. Nuk më duhet fare flasin apo jo lojtarët për Shqipërinë dhe çfarë thonë. Për mua është e rëndësishme të arrijnë objektivat dhe të ruhet shpirti i garës.

PANORAMASPORT.AL