“Është anormale që ekipi të shënojë vetëm një gol”, ish-futbollisti Xhahysa: Vllaznia nuk ka mesfushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2019 | 22:23

“Është anormale që ekipi të shënojë vetëm një gol”, ish-futbollisti Xhahysa: Vllaznia nuk ka mesfushë

Altin Xhahysa, një nga ish-futbol listët shkodranë të pasviteve ’90, kampion me këtë skuadër, ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e golave te Vllaznia. Pikërisht kjo skuadër që ndër vite është mburrur me sulmues të zotë dhe ka furnizuar edhe shumë skuadra të Shqipërisë me bombera.

Xhahysa

Ekipi i drejtuar nga Jonuz ka shënuar vetëm një gol në pesë takimet e para duke sjellë jo pak shqetësim te stafi, por edhe te specialistët e shumtë. Mungesa e golit sipas Xhahysës tregon merkaton që është bërë. Për “Panorama Sport” ai thekson se merkatoja po çalon deri në këto momente. Sipas tij, vetëm 3 apo 4 lojtarë po aktivizohen rregullisht, ndërsa të tjerët janë larg pritshmërive apo s’dihet fare ku janë.

“Personalisht, jam shumë i zhgënjyer nga ndeshja e fundit. Ne kemi një mesfushë që gjithçka mund të quhet, por mesfushë jo. Jemi pa sulm, pa krahë… Manovra sulmuese fillon që nga mbrojtja e me radhë, por nuk kemi një mesfushë dhe kur s’ka krahë në sulm, si të shkohet te goli?!

Shikoj shumë mangësi te ky ekip. Këtë e lidh me merkaton që është bërë. Janë afruar 12 apo 13 lojtarë dhe ndër ta, vetëm 3 ose 4 luajnë. Ku janë të tjerët? Nuk jam kundër blerjeve, por të bëhen cilësore. Më mirë pak e saktë. Më mirë të shpenzohet e njëjta shumë e të afrohen 5 apo 6 futbollistë të saktë, sesa të afrohen aq sa janë afruar. Vllaznia ka mundësitë që lojtarët e tjerë t’i ketë të vetët. Duhet boshti, duhen afrime cilësore edhe normalisht nuk do të vonojnë të tjerat”, u shpreh Xhahysa.

KRITIKAT

Trajneri i grup-moshave të akademisë Vllaznia ka apeluar edhe ndaj drejtuesve të klubit që të mirëkuptojnë kritikat që specialistët shprehin ndaj Vllaznisë. “Problemi këtu te ne është që i keq bëhet gjithmonë ai që thotë mendimin e tij. Vetë ne si shqiptarë ose shkodranë nuk i pranojmë kritikat, por duhet të mendojmë kush kritikon. Jam një sportist që ka dhënë për shumë vite për Vllazninë, një trajner në këtë klub tek akademia.

Pra, kritikat tona janë për të mirën e kësaj Vllaznie, të mirën e këtij tifozllëku në mënyrë që Vllaznia të shkojë aty ku i takon. Të gjithë dëshirojmë më të mirën, por nuk duhet që një kritikë të merret si sulm. Në qoftë se sot duam të flasim fjalë të mira për Vllazninë, mua nuk më lejojnë statistikat: në 5 ndeshje, të shënosh një gol, nuk është aspak normale”, vijoi ishmesfushori sulmues.

TIFOZËRIA

I rritur nën mbështetjen e një tifozërie të zjarrtë, ai i përket një brezi lojtarësh kampionë në vitet më të vështira të futbollit, atij të vitit 1998. Altin Xhahysa në fund të fjalës së tij deklaron: “Të dhemb shpirti kur e sheh ndeshjen me stadiumin bosh. Mungesa e tifozërisë ka pa dyshim edhe ndikimin e vet në atë ndeshje.

Shpresoj që në takimin me Skënderbeun ekipi të paraqesë një tjetër fytyrë dhe të mos e ndiejë si në këtë takim mungesën e tifozërisë. Pavarësisht se është një kundërshtar më i vështirë sesa Luftëtari, mundësitë për të fituar këtë sfidë ekzistojnë. Kurrë nuk e humbim shpresën te Vllaznia”, deklaroi, ish-futbollisti shkodran, Altin Xhahysa.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"