Esat Mala ndërron mendje, zbulohet vendimi i marrë për të ardhmen e mesfushorit të Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 20:14

Esat Mala ndërron mendje, zbulohet vendimi i marrë për të ardhmen e mesfushorit të Partizanit

Esat Mala dhe Partizani kanë vendosur që ta shtyjnë “divorcin”, mbase kjo vlen për të mirën e të dyja palëve duke e vazhduar bashkëpunimin për të paktën edhe një muaj. Më 30 qershor mesfushorit i ka mbaruar kontrata me Partizanin dhe ishte parashikuar që nga dje ai të mos ishte më pjesë e “demave”. Ky përfundim rridhte edhe nga kërkesa që lojtari kishte depozituar më herët në FSHF, ku konfirmonte përfundimin e kontratës me të kuqtë dhe dëshirën e tij për të mos vijuar më tej.esat mala

Por, kjo gjë nuk do të ndodhë, pasi Mala ka vendosur që ta mbyllë sezonin me Partizanin. Në këto kushte, trajneri Sormani e ka në dispozicion 21-vjeçarin edhe për pesë ndeshjet e mbetura të kampionatit që do të zhvillohen përgjatë muajt korrik. Mala nuk luan që nga 7 qershori, ku ndaj Kukësit pësoi një dëmtim. Përgjatë kësaj kohe mesfushori kosovar i është nënshtruar fazës riaftësuese dhe ka arritur të jetë gati për ekipin duke filluar që nga transferta e Ballshit.

Me shtyrjen e “divorcit”, por edhe me riaftësimin nga dëmtimi, i bie që trajneri Sormani të ketë një armë më shumë për pjesën e mbetur të sezonit. Esat Mala konsiderohet si një lojtar “xhol”, pasi mund të përshtatet në disa pozicione, duke filluar nga mbrojtës i djathtë deri në sulmues krahu. Nëse Mala do të largohej pa u mbyllur kampionati, i binte që më shumë t’i prishte punë vetes, kur dihet se në këtë periudhë nuk mund të aktivizohet në asnjë klub, për sa kohë nuk është mbyllur sezoni 2019- 2020. Me vazhdimësinë me “demat” lojtari i jep mundësi vetes që përgjatë korrikut të rrisë parametrat dhe të shtojë kreditet dhe kontributin për klubin.esat mala

Gjithsesi, kjo shtyrje mendohet të jetë e përkohshme, pasi Mala ka vendosur të largohet nga Shqipëria dhe në sezonin e ri të nisë një aventurë të re jashtë vendit. Më herët është folur se për shtatshkurtrin ka interes nga disa klube të huaja, duke filluar nga Portugalia, Zvicra, Kroacia dhe Turqia. Partizani prej një viti u përpoq që ta bindë 21-vjeçarin që të rinovojë, por nuk ia arriti qëllimit, gjë e cila bën që Mala të largohet me parametër zero. Nuk është hera e parë që Partizani e pëson në këtë mënyrë duke lejuar largimin e “xhevahirëve” nga ekipi pa përfituar asnjë “kacidhe”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"