Esat Mala degdiset në cep të fushës, Olsi Rama e vëzhgon (FOTOT)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 18:40

Esat Mala degdiset në cep të fushës, Olsi Rama e vëzhgon (FOTOT)

Esat Mala vazhdon të degdiset në cepat e fushës. Mesfushori i talentuar, që pas vendimit të klubit për ta pezulluar nga stërvitja e ekipit të parë, edhe dje është fotografuar nga “Panorama Sport” i veçuar nga skuadra. Këtë herë ai u stërvit me mbrojtësin Besnik Ferati dhe sulmuesin Jozef Ekuban, të cilët kanë probleme fizike dhe nuk ishin pjesë e grupit në seancën e djeshme. Vetëm disa ushtrime në pjesën ku goditen kornet, pasime të shkurta dhe vrap rreth fushës.

mala 1 logo

 

Kjo është situata e Malës, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së tij. Mesfushori nuk pranoi ta rinovonte kontratën, e cila i përfundon në verën e vitit 2020 dhe klubi mori një vendim për ta lënë jashtë skuadrës deri në një afat të pacaktuar.

mala 2 logo

Vetë Mala ka qenë i shqetësuar më shumë nga mediat që të mos vëzhgohej, duke qëndruar në cep të fushës dhe mos pranuar të bëjë ndonjë koment lidhur me çështjen.

mala 3 olsi rama (logo)

Dje, teksa ai qëndronte bashkë me Ekuban dhe Feratin, pak metra më tutje tij ishte edhe drejtori i Partizanit, Olsi Rama. Ky i fundit qëndroi në shkallët e tribunës modeste, duke ndjekur me vëmendje skuadrën për afro dy orë. Ai kërkoi të dijë si është gjendja psikologjike e lojtarëve, nisur nga fakti se vijnë pas tërmetit që tronditi vendin.

STËRVITJA

Ankthi, frika dhe tmerri i përjetuar në javën e kaluar prej tërmetit ia ka lënë vendin të ftohtit. Dje që në mëngjes, Partizani ka udhëtuar si zakonisht drejt kompleksit “Internacional” në Pezë-Helmës për të zhvilluar seancën stërvitore të radhës në kuadër të ndeshjes me Bylisin, që do të luhet të shtunën në Ballsh. Sapo të kuqtë kanë mbërritur në Pezë, duke parë edhe motin, kanë kërkuar që në dhomat e zhveshjes të vendoseshin dy rezistenca, në mënyrë që të bëhej një ngrohje artificiale. Më pas, kur lojtarët kanë dalë në fushë, dielli ka ardhur në ndihmë të tyre dhe gjithçka është stabilizuar.

partizani 1

Në orën 10:15 ka nisur edhe seanca stërvitore. Ajo që vihej re ishte stërvitja me portierët Alban Hoxha dhe Livio Malaj, edhe e portierit 16-vjeçar të Partizanit U-17, Brajan Marku. Ndërkohë, portieri i dytë i Partizanit, Aldo Teqja, ka qëndruar rreth gjysmë ore pranë stërvitjes te shkallët, duke ndjekur shokët e skuadrës. Ende nuk mund të flitet për rikthimin e tij në fushë pas incidentit të dy muajve më parë, por gjithsesi, gjendja e Teqjes është e mirë. Ndërkohë, e gjithë vëmendja e stërvitjes së djeshme nga trajneri Lerda ka qenë projektimi i formacionit. Më shumë është përqendruar te vija e sulmit, ndërsa ka përzierë disa herë kartat. Ai ka provuar edhe treshen Asani-Solomon-Braun, por çdo gjë mbetet për t’u parë në seancat e radhës.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"