Erzeni tregon forcën, Lushnja stonon para derbit. Trajneri Gjyla aktivizoi 4 sulmues, por askush nuk shënoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2020 | 11:25

Erzeni tregon forcën, Lushnja stonon para derbit. Trajneri Gjyla aktivizoi 4 sulmues, por askush nuk shënoi

Erzeni dhe Lushnja, dy skuadra që ndod hen në zonën e “Play off”-it në Kategorinë e Parë, por në grupe të ndryshme, janë ndeshur dje në stadiumin “Tofik Jashari”. Shijakasit kanë reaguar në mënyrën e duhur pas humbjeve me Teutën dhe Besën, duke fituar 2-0 ndaj Lushnjës pretendente për ngjitjen në Superiore. Skuadra e drejtuar nga trajneri Dorian Bubeqi bëri një paraqitje mjaft të mirë dhe dominoi mbi kundërshtarin, siç tregon edhe rezultati, edhe pse në të tilla ndeshje ai është në plan të dytë.

erzeni lushnja

Nga miqësorja e djeshme Erzeni – Lushnja 2-0

NDESHJA – Erzeni dhe Lushnja zbritën në fushë me formacionet më të mira, ndoshta duke e konsideruar “provën gjenerale” para ndeshjeve të kampionatit. Në pjesën e dytë, trajnerët Dorian Bubeqi dhe Ilir Gjyla i ndërruan thuajse të gjithë lojtarët, duke u dhënë mundësinë e aktivizimit të gjithëve atyre që kishin të gatshëm në stol. Ndeshja shkoi mirë për shijakasit, të cilët kaluan në avantazh pas 9 minutash me sulmuesin Xhixhiua.

Ndoshta ky gol i çliroi vendësit, të cilët më pas e administruan lojën më mirë dhe krijuan edhe raste të tjera. Pak pas fillimit të pjesës së dytë, kur kishin nisur ndërrimet, Elidion Mara shënoi edhe golin e dytë për Erzenin, duke i dhënë më shumë siguri skuadrës për të kontrolluar rezultatin. Lushnja, pavarësisht përpjekjeve të saj në sulm, nuk mundi ta gjente golin në këtë miqësore. Shijakasit kanë treguar forcën e tyre në këtë takim, përballë një kundërshtari të fortë.

SULMI I LUSHNJËS – Lushnjarët jo vetëm që humbën në këtë ndeshje, por nuk arritën të shënonin asnjë gol dhe këtu ka vend për shqetësim, edhe pse bëhet fjalë vetëm për një miqësore. Në pjesën e parë Lushnja luajti në sulm me dyshen Canka-Mezini, për t’u zëvendësuar në të dytën nga dyshja tjetër, Branica-Dedej.

Ky i fundit është kapiteni i ekipit U17 të Lushnjës dhe është aktivizuar nga trajneri Gjyla në këtë ndeshje testuese. Brunild Pepa luajti në krahun e djathtë të mesfushës dhe, edhe pse verdhejeshilët kishin në fushë kaq shumë sulmues, mbetën “thatë”. Kjo nuk është aspak një shenjë e mirë përpara derbit me Apoloninë, që për Lushnjën vlen shumë.

 

skeda

FIQIRI SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"