Erzeni shkëlqen në shtëpi, trajneri Dede: Pjesa e parë, për t’u admiruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2022 | 22:42

Erzeni shkëlqen në shtëpi, trajneri Dede: Pjesa e parë, për t’u admiruar

Erzeni rigjen fitoren. Pas barazimit në Burrel, në shtëpi nuk mund të falnin. Shijakasve u kanë mjaftuar vetëm 32 minuta për të siguruar trepikëshin, që i blindon në vendin e dytë.


Dy rrjetat e shpejta të Fatmir Prengës dhe ai i të zakonshmit Ersil Ymeri “vulosën” gjithçka çerekore para se të shkonin në pushim. Edhe pse Joni Nurja shënoi në të 85-ën, nuk ndryshoi asgjë për sarandjotët. Ata zhyten më keq në fund të tabelës, duke e bërë mbijetesën një “malore”.

Nevil Dede u kënaqet pikëve të kthesës, ndërsa paralajmëron se deri në finish do të luftojnë për kreun. Trajneri i Erzenit, pas ndeshjes, tha:

NEVIL DEDE

“E kishim vlerësuar mjaft këtë takim, pasi fitorja ishte alternativa e vetme. E arritëm falë mobilizimit të futbollistëve që në pjesën e parë.

Ndonëse patëm disa mungesa, zhvilluam një lojë për t’u admiruar dhe sidomos në pjesën e parë. Ajo u konkretizua me shënimin e tre golave. Tashmë kur kanë mbetur dhe 4 ndeshje deri në përfundim të kampionatit, skuadra do të vazhdojë me intensitet për të marrë maksimumin e mundshëm dhe për të realizuar objektivin që i kemi vënë vetes, Superioren”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"