“Erzeni, rivali më i ‘sikletshëm’ i Partizanit”, Murataj: Kreut plot me bonuse, miqësorja me Luzin na shërben shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 20:50

“Erzeni, rivali më i ‘sikletshëm’ i Partizanit”, Murataj: Kreut plot me bonuse, miqësorja me Luzin na shërben shumë

Kapiteni i Partizanit në ndeshjen e djeshme ndaj Luzit, Valentino Murataj, foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” pas përballjes së fituar me shifrat 6-1. Mesfushori shprehet se kjo ndeshje i shërbeu ekipit, teksa shton se në vijim “demat” i presin edhe 10 finale për titullin.aa1f4779-1785-403d-943e-386125c026c6Murataj, sa ju shërbeu kjo miqësore ndaj Luzit?

Ndeshjet miqësore janë gjithmonë një test, që na ndihmon për t’u përmirësuar në skemat dhe në udhëzimet, të cilat na jep trajneri. Gjithashtu, në kushtet kur vijmë nga një minipushim, kjo sfidë na ndihmoi për t’u ringritur sa më shumë fizikisht para sfidës së radhës.

Kryesoni Superioren, do ta lëshoni më vendin e parë?

Të jesh në vendin e parë është diçka shumë pozitive. Sjell shumë harmoni në stërvitje, si dhe një atmosferë plot optimizëm. Kaq mund të them në lidhje me këtë pyetje, përpara kemi edhe 10 finale për të luajtur.

Cili ka qenë kundërshtari më “i sikletshëm” i Partizanit në këtë sezon?

E kemi parë se të gjithë mund të bëjnë mirë, pasi është treguar tashmë se ky kampionat ka shumë pak diferenca. Mendoj se të gjithë janë rivalë të fortë, por nëse më duhet të them një emër, po përmend Erzenin, pasi ka arritur të na marrë 4 pikë.

Si ndiheni me Matondon dhe Rrapajn në krah?

Është viti i dytë që luaj me Matondon dhe këtë sezon jemi njohur shumë më mirë. Si ai, edhe Rrapaj janë lojtarë shumë të mirë, por të tre duhet të japim akoma më shumë nga vetja, sepse kemi më shumë mundësi për ta ndihmuar ekipin.

Sa i kënaqur jeni me sezonin që keni bërë personalisht deri më tani?

Kënaqësinë time e tregon tabela e renditjes. Aty është suksesi ynë, të luftojmë deri në fund me kokën poshtë, që të arrijmë objektivat personalë dhe synimet e klubit.

Çfarë ka Kolela ndonjë element që nuk e keni parë te trajnerët e tjerë?

Kolela ka diçka që disa ndoshta nuk e kanë kuptuar akoma, por këtë mund ta zbuloj vetëm në fund të sezonit, sepse përbën konflikt interesi nëse do ta thosha tani (qesh).

Me cilin nga shokët e ekipit kaloni më shumë kohë?

Të gjithë janë djem fantastikë dhe ndihem i lumtur që i kam në skuadër, sepse qëndrojmë çdo ditë së bashku. Edhe jashtë fushave jemi të gjithë si një familje e dytë, pas atyre tonave.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"