Erzeni rihap garën në Veri, Egnatia nis arratinë drejt Jugut. Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2021 | 20:20

Erzeni rihap garën në Veri, Egnatia nis arratinë drejt Jugut. Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët në Kategorinë e Parë

U rikthye më në fund futbolli edhe në Kategorinë e Parë. Pas shtyrjeve të vazhdueshme, 14 ekipe zbritën në fushë dhe tre të tjerat vazhduan pushimet. Faza e dytë nisi me surpriza. Në Veri u ndal Dinamo dhe zyrtarisht mund të themi që gara për kreun rihapet, ndërsa në Jug ka vetëm një skuadër që komandon dhe ajo është: Egnatia. Java e 10-të prodhoi shumëçka: kryevepra, traversa, shtylla, autogola dhe “lumë” kartonësh apo edhe grushte e shkelma.

Hyska

Në Grupin A dominuan blofet. Ndryshimet në merkato apo ato në stol nuk kanë ndikuar fort mirë për të gjitha klubet. Besëlidhja e cila do me ngulm që të ngjitet, lloci me Vorën. Skuadra e Gerald Çanit i dha leksion asaj të Sinan Bardhit, që nuk dinte ku ishte. Golat e Keqës dhe Sadikut nderuan vorakët që tashmë janë të 6-ët në tabelë dhe më të qetë me pikavarazh. Për t’u harruar gjendja e lezhjanëve, të cilët shfaqin probleme të mëdha në çdo fushë dhe zyrtarisht mbeten -8 nga vendi i parë.

As Korabi nuk ia doli dot përballë Orikut. Ai gol i Çaushajt i dha tri pikë shprese në debutim trajnerit Artan Sakaj, ndërsa jo fort mirë nisi rrugëtimi i Agim Canajt me dibranët. Burreli marshon drejt misionit final dhe këtë e tregoi përballë Veleçikut në transfertë, duke i bërë plot 4 gola. Dominim në lojë e rezultat dhe tashmë dukshëm i shtojnë presionin Dinamos. Këta të fundit u “shfrynë” të dielën. Vazhdojnë të jenë të parët, por diferenca me rivalët është shkurtuar tashmë. Premiera e Françesko Morieros la për të dëshiruar. Skuadra vuajti ndjeshëm dhe kjo edhe për meritë të Erzenit. Shijakasit i falen Himës dhe Hyskës për të braktisur fundin e tabelës dhe besuar te mbijetesa.

Në Grupin B java nisi me atë barazim mes Besës dhe Lushnjës. Nga një pikë e marrë nuk i vlejti asnjërës, por kryesuesve. Egnatia mundi 3-0 Elbasanin dhe shkëputet me 4 pikë nga ndjekësit më të afërt. Një autogol i Elezit, Gashi e më pas Krasniqi mjaftuan për pikët e plota. Verdheblutë nuk gjejnë derman as me merkaton e as me trajnerin e ri. Vërtet mund të kenë prodhuar lojë, por shifrat e zeza vazhdojnë të thellohen. Bënë një formacion me afrime në janar, por në fushë nuk falin. Flasim për Turbinën që mundi 1-0 Flamurtarin, falë asaj rrjete të Florian Dacit. Kuqezinjtë kanë pretendimet e tyre për gjykimin, megjithatë nuk bënë aq sa duhet për të dalë minimalisht me ndonjë barazim nga “Nexhip Trungu”.

12111

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"