Erzeni-Partizani B/ Ramilli: Kemi mësuar nga gabimet, i kalojmë ‘demat’. Delia: Transfertë delikate, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2020 | 12:00

Erzeni-Partizani B/ Ramilli: Kemi mësuar nga gabimet, i kalojmë ‘demat’. Delia: Transfertë delikate, por…

Erzeni do të zbresë sot në fushën e “Tofik Jasharit” vetëm për fitore. Zv.kapiteni Myslim Ramilli beson te pikët kundër Partizanit B. Për “Panorama Sport”, ai shprehet se skuadra ka mësuar nga gabimet e bëra në takimet e luajtura. “E kemi vlerësuar maksimalisht Partizanin B, pasi duam vetëm fitoren. Gjatë gjithë javës jemi përgatitur dhe kam besim se do t’ia dalim me sukses. Kemi mësuar nga gabimet e bëra dhe kurrsesi nuk mund t’ia lejojmë vetes që të ngecim sërish.
erzeni
Kemi objektiva për të qenë sa më lart në renditje dhe çdo hap fals na prish punë. Pak e nga pak po na plotësohet grupi i lojtarëve dhe kjo gjë do të na japë mundësinë të ngjitemi në renditje e të shkojmë aty ku na takon”, përfundoi Ramilli, një nga pikat më të rëndësishme në ekipin e Bubeqit.
unnamed
Partizani B – Partizanit B i është shtuar uria. Pasi mori pikën e parë, edhe nga Shijaku do të tentojnë që të mos dalin duarbosh. Edhe pse është një transfertë e vështirë, të kuqtë janë të mobilizuar. Lidhur me këtë takim flet Gers Delia. Mesfushori që ka ardhur te “demat” pas përvojës te Dinamoja, shprehet optimist para këtij 90-minutëshi. “Është një ndeshje e vështirë, në një fushë po aq e vështirë. Kjo edhe për shkak të tifozëve të shumtë që e ndjekin këtë skuadër, pavarësisht se jemi në kohë pandemie. Ata asnjëherë nuk i kanë munguar ekipit, qoftë edhe nga tarracat përreth. Trajneri Mehmeti ka punuar shumë në aspektin psikologjik, për të mos hyrë në fushë si inferiorë. Neve na duhen pikët dhe për këtë do të japim gjithçka nga vetja”, përfundon 28-vjeçari për gazetën.

partizani b erzeni

ERALD DERVISHI

ABDULLA DUSHKU

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"