Erzeni ndez “motorët”, për një tjetër mrekulli me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 11:40

Erzeni ndez “motorët”, për një tjetër mrekulli me Partizanin

Erzeni nisi dje stërvitjen pas disa ditëve pushim, ku lojtarët nga treva të ndryshme të mbledhur në Shijak, janë çmallur me familjarët e tyre. I gjithë fokusi do të jetë te ruajtja e gjendjes së mirë të lojtarëve, të cilët nëpërmjet ndeshjeve dinjitoze dhe me volum arritën që pas 12 ndeshjesh të renditen në vendin e 3-të me 20 pikë.

erzeni

Ndeshja e radhës ndaj Partizanit në shtëpi për shijakasit do të luhet për kreun në këto kushte, pavarësisht se nga drejtuesit objektivat janë të sigurojnë qëndrimin në Superiore. Mungesa e madhe e Erzenit do të jenë tifozët që akoma vuajnë dënimin nga hedhja e sendeve në ndeshjen me Kukësin, që pati kontestime ndaj gjyqtarit.

Ndeshja e parë ndaj kryeqytetasve ishte befasia e këtij sezoni ku Erzeni i Shijakut i sapongjitur në Superiore, tronditi të kuqtë duke u shkaktuar humbjen e parë me rezultatin 0-1 pas atij goli të mrekullueshëm të Nonatos. Me motivin për të përsëritur të njëjtin sukses djemtë e Erzenit kanë të gjithë besimin se rezultati i parë nuk ishte rastësi.

SHIFRAT-Erzeni renditet i treti me 20 pikë, ndërsa ka 10 gola të shënuar dhe po aq të pësuar. Me 5 fitore, 5 barazime dhe vetëm 2 humbje, Erzeni ndihet më komod në ndeshjet e transfertave ku si ekip mik ka arritur të marrë më shumë pikë sesa si vendës. Përkatësisht 11 pikë si mik dhe 9 pikë si vendës. Erzeni në krahasim me Partizanin ka kaluar më shumë ndeshje pa pësuar gol, konkretisht 7 të tilla, ndërsa Partizani e ka mbajtur vetëm 3 herë portën e paprekur, por ka gjetur më shumë herë rrugën e rrjetës.

RONALD FAJA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"