Erzeni mposht Tërbunin, shijakasit triumfojnë mes dëborës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2018 | 11:02

Erzeni mposht Tërbunin, shijakasit triumfojnë mes dëborës

Është luajtur dje akti i dytë i ndeshjes mes Tërbunit dhe Erzenit në një stadium të mbuluar nga dëbora, por që nuk ka ndalur dy skuadrat të luanin minutat e mbetura të ndeshjes së ndërprerë tri javë më parë për shkak të reshjeve të shumta të shiut.

yhb

Megjithatë, 63 minutat e luajtura nuk sollën ndryshimin e rezultatit, pasi nuk u realizua asnjë gol, edhe pse vendasit u munduan me të gjitha forcat që të paktën të barazonin.

Kujtojmë që në 27 minutat e luajtura, kishin shënuar të parët miqtë me anë të Dekavellit në minutën e pestë dhe, katër minuta më vonë, Beci ka barazuar shifrat. Xhemalaj do të shënonte në minutën e 14-të golin e fitores, i cili ka qëndruar në fuqi edhe gjatë ditës së djeshme.

28168392_1751055394957550_6127536354751999277_n

PJESA E PARË – Pukjanët e trajnerit Krepi e kanë nisur takimin në sulm dhe e kanë vënë në vështirësi kundërshtarin, duke pasur edhe raste të pastra për shënim, por sulmuesit vendas nuk janë treguar të saktë para katërkëndëshit të mbrojtur nga Konduri. Gjuajtjet e fundit ose janë pritur nga ky i fundit ose kanë përfunduar jashtë.

Ndërsa Erzeni ia ka arritur që ta mbyllë këtë pjesë të parë në avantazh dhe ka menduar më shumë për fazën mbrojtëse në një terren që nuk të jepte shumë mundësi që të zhvilloje një lojë teknike, pasi ishte disi i rënduar.

erzeni terbuni

PJESA E DYTË – Duke parë sulmet e njëpasnjëshme të vendasve me fillimin e pjesës së dytë të takimit, skuadra shijakase është hedhur në sulm dhe ka vënë jo pak në vështirësi Tërbunin, që, përveçse duhet të mendonte për të barazuar shifrat, duhet të ishte i kujdesshëm edhe në mbrojtje për të mos pësuar.

Në minutën e 83-të të ndeshjes, trajneri Krepi hedh në fushë Pepën, por rezultati nuk ndryshon. Të dyja skuadrat e mbyllin takimin me nga një futbollist më pak, për shkak se Prendi për vendasit dhe Teqja për miqtë ndëshkohen me kartonë të kuq. Në fund, Erzeni doli me tri pikë nga fusha e blertë, ndërsa Tërbuni ndërlikon pozitat në tabelën e klasifikimit.

DITMIR PEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"