Erzeni me prezantime në seri, te shijakasit vijnë dy futbollistë të tjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2022 | 14:24

Erzeni me prezantime në seri, te shijakasit vijnë dy futbollistë të tjerë

Pas një starti shumë të heshtur në merkato, Erzeni është zgjuar dhe ka nisur ndërtimin e ekipit për sezonin e ri të Kategorisë Superiore dhe Kupës së Shqipërisë.

Fernando Armando

Mbrëmjen e djeshme klubi ka bërë zyrtarizime në seri, pjesa më e madhe e të cilëve ishin paralajmëruar nga ana e gazetës.

RISITË – Gjithsesi, kishte edhe dy emra të rinj, që nuk ishin përfolur më parë. I pari është Ardit Peposhi, një emër i njohur në futbollin tonë, teksa në sezonin e fundit luajti në Kosovë me skuadrën e Llapit.

Mbrojtësi i majtë në të shkuarën ka luajtur me një sërë skuadrash. Karrierën si profesionist e ka nisur te Partizani, por ka provuar të luajë edhe me Tiranën e Dinamon, përveç skuadrave si Teuta, Korabi, Kukësi e Bylisi.

Ardit Peposhi

Ndërkohë, e reja tjetër është një sulmues brazilian. Fernando Armando dos Santos ka arritur akordin me shijakasit dhe ditën e djeshme është prezantuar në zyrat e klubit.

27-vjeçari vjen në Superiore pas një aventure në Greqi me skuadrën e Etinkos Pireu, teksa pjesën tjetër të karrierës e ka zhvilluar në Brazil dhe Portugali.

Portali i statistikave, “Soçerway” numëron vetëm 4 gola në karrierën e 27-vjeçarit.

PREZANTIMET E TJERA – Dashamir Xhika la Kukësin dhe pritet të jetë titullari i portës me Erzenin në sezonin e ri. Ndërkohë, mbrojtësi Gëzim Krasniqi dhe Klevis Hasanbelli kanë lënë Egnatian, për t’u transferuar në Shijak. Ky i fundit pritet të jetë alternativë e Xhikës mes katërkëndëshit.

Një emër i panjohur për Superioren është Dren Gashi, i cili vjen pas aventurës me Dukagjinin në Kosovë. Qendërsulmuesi 28-vjeçar ka luajtur në të shkuarën edhe me Egnatian në Kategorinë e Parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"