“Erzeni klub model, nder i madh të vesh të njëjtën fanellë me….”, rrëfehet Osmanllari: Ju tregoj modelet e suksesit në karrierë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2021 | 22:18

“Erzeni klub model, nder i madh të vesh të njëjtën fanellë me….”, rrëfehet Osmanllari: Ju tregoj modelet e suksesit në karrierë

Futbollisti i Erzenit, Anteo Osmanllari është duke kaluar një moment mjaft të mirë në karrierën e tij. Falë formës së shkëlqyer 23-vjeçari, është shndërruar në protagonist absolut te skuadra e Nevil Dedes, që këtë sezon ka si objektiv ngjitjen në Kategorinë Superiore. 

Osmanllari66

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, Osmanllari, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë edhe e klubeve si Skënderbeu dhe Partizani, ka folur me superlative për aventurën e tij te shijakasit.

Tetë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar në 2 ndeshjet e fundit, cili është çelësi i suksesit të këtij Erzeni? 

Personalisht mendoj dhe jam i bindur për këtë pjesë se çelësi i suksesit për arritjen e këtyre rezultateve është dëshira për të sakrifikuar për ekipin dhe njëri-tjetrin në fushë, pa menduar aspektin personal.

Keni qenë një nga lojtarët më të spikatur të Erzenit në ndeshjet e fundit, a ka Anteo një sekret për forën fantastike që po kalon?

Harmonia e ekipit dhe puna e palodhshme e stafit po edhe ajo individuale janë faktorët kryesorë. Skuadra jonë po kristalizohet dhe skema e dy ndeshjeve të fundit më përshtatet. Ndihem super si anësor i linjës së djathtë në skemën me 3 në mbrojtje.

Në të shkuarën ke qenë pjesë e klubeve si Skënderbeu dhe Partizani, po te Erzeni çfarë ambienti ke gjetur, a ngjason ndopak me atë në klubet e elitës?

Ky Erzen i këtij sezoni është një klub model për Kategorinë e Parë. Kushtet që na ofrojnë drejtuesit si në akomodim ashtu edhe në stërvitshmëri do t’i kishin zili dhe disa ekipe nga Kategoria Superiore.

Erzeni

Keni një model suksesi në karrierë? Nese po, cili është?

Modelet e suksesit në karrierë për mua kanë qenë lojtarët që nga vështirësitë e medha kanë arritur në nivele të larta nëpërmjet punës, sakrificës dhe përkushtimit. Kristiano Ronaldo është një model i mirë insipirmi edhe pse niveli i tij është i një universi tjetër.

Cilët janë 3 futbollistët që vlerësoni më shumë te Erzeni?

Nuk mund të veçoj 3 lojtarë sepse do të duhet të përmend gjithë ekipin, por mund të veçoj 1 të vetëm. Nder i madh për mua të vesh të njëjtën fanellë me një kampion si Isli Hidi.

Objektivi i klubit tashmë dihet që është ngjitja në Superiore, po ju e keni një objektiv personal?

Objektivi im personal është të jap më të mirën për ekipin që të arrijmë kolektivisht objektivat e përbashkëta. Kam qenë gjithmonë me parimin që duhet të japësh gjithçka për emrin që mban stema në anën e zemrës që të të lartësohet sa më shume emri që ke në shpatulla.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"