Erzeni kërkon mbijetesën me mungesa të rëndësishme, Deliallisi detyrohet të ribëjë mesfushën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 11:19

Erzeni kërkon mbijetesën me mungesa të rëndësishme, Deliallisi detyrohet të ribëjë mesfushën

Ndeshja e fundit përmbyllëse e kampionatit për Erzenin vjen ndaj kampionëve në fuqi, kryeqytetasve të Tiranës. Ty dy këto ekipe vijnë nga dy barazime, respektivisht Tirana ndaj Bylisit dhe Erzeni ndaj Kukësit. Të besuarit e Alfred Deliallisit kanë marrë një surprizë në “Tofik Jashari” të dielën gjatë seancës së fundit të stërvitjes nga tifozët e tyre, teksa u është kërkuar vetëm fitorja.

erzeni

Shijakasit kanë avantazhin e fushës dhe që Tirana u dënua nga aktet e javës së kaluar, teksa një pjesë e konsiderueshme e titullarëve nuk luajnë në këtë sfidë kaq të rëndësishme. Erzeni pret dhe një dhuratë kryesisht nga Vllaznia apo dhe nga Egnatia, pasi me rast të humbjes së ballshiotëve, Erzeni ruan pozitat e “play out”-it, ndërsa me rastin e humbjes së Kukësit dhe me fitoren e Erzenit, Shijakasit i shpëtojnë dhe “play out”-it. Gjatë këtij sezoni ndërmjet Erzenit dhe Tiranës janë zhvilluar tri ndeshje, që përkojnë me një fitore të Erzenit në fazën e parë dhe dy fitore të Tiranës në fazat tjera. Ndërkohë, në orët para ndeshjes janë shfaqur probleme të paparashikuara.

Përveç portierit Dashamir Xhika, që nuk do të jetë i gatshëm për shkak kartonësh, sot pritet të mungojnë edhe mesfushorët Adnard Mehmeti dhe Marko Kriviçiç. Dy titullarët nuk janë stërvitur me ekipin, ndërsa mësohet se kanë probleme shëndetësore dhe gjasat për të qenë në dispozicion janë shumë të pakta. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sulmuesin e ri kosovar, Sokol Kiqina, i cili ka pasur probleme fizike. Mungesë e sigurt është edhe ajo e kapitenit Gëzim Krasniqi, që prej javësh nuk është në gjendje të luajë pas operimit. Problemi më i madh për trajnerin është reparti i mesfushës, i cili duhet ribërë pas mungesës së dyshes Mehmeti-Kriviçiç.

FORMACIONI I MUNDSHEM:

ERZENI: Hasanbelli, Osmanllari, Iljazi, Sadiki, Peposhi, Enk, Alan, Kahrimanoviç, Ademi, Kadriu, Nonato
Trajner. Alfred Deliallisi

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"