Erzeni do të masë forcat ndaj Tërbunit, Dede: Luajmë kudo për sukses, lojtarët e dinë objektivin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2021 | 10:25

Erzeni do të masë forcat ndaj Tërbunit, Dede: Luajmë kudo për sukses, lojtarët e dinë objektivin

Erzeni do të ndeshet sot në Pukë me Tërbunin vendës dhe trajneri i skuadrës shijakase është i ndërgjegjshëm se do të ketë përballë një kundërshtar që meriton respekt, ndaj e ka përgatitur seriozisht këtë takim. Në prag të kësaj transferte, trajneri Nevil Dede, për “Panorama Sport” u shpreh:

nevil dede 1

“Erzeni është gjithmonë gati për çdo përballje. Lojtarët po japin maksimumin në çdo seancë stërvitore dhe në radhët e tyre shoh optimizëm, entuziazëm dhe kjo është më e rëndësishmja për mua si trajner.

Në takimin e sotëm kemi disa probleme të vogla dëmtimesh, të cilat mendojmë se janë të rikuperueshme. Luajmë në një qytet e në një fushë me shumë kulturë e edukatë, ndaj do të bëjmë më të mirën e mundshme përballë kësaj skuadre.

Lojtarët janë stërvitur me plot dëshirë dhe këtë do ta shprehin në fushën e lojës. Skuadra nga ndeshja në ndeshje është përpjekur të përmirësohet, gjë që mendoj se do të evidentohet edhe në këtë takim.

Tashmë futbollistët e kanë të qartë objektivin që ka ekipi dhe do të luftojnë në çdo ndeshje vetëm për fitore, pavarësisht nëse luajmë brenda apo jashtë fushës sonë.

E rëndësishme është që skuadra të luajë më shpirt gare dhe me harmoni të plotë mes reparteve, për t’ia lënë gjithçka 90 minutave të këtij takimi”.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"