Erzeni-Burreli/ Bubeqi kënaqet edhe me barazim, Nikaj: Jemi ekip elite, në merkato pres prurje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2020 | 10:20

Erzeni-Burreli/ Bubeqi kënaqet edhe me barazim, Nikaj: Jemi ekip elite, në merkato pres prurje

Skuadra shijakase ka arritur të grumbullojë vetëm 4 pikë në 6 ndeshjet e luajtura në Grupin A të Kategorisë së Parë. Erzeni po vuan shumë në disa aspekte, sikurse janë rastet e shpërdoruara, mungesa e golit, lojtarë që kthehen nga dëmtimet dhe që janë stërvitur të diferencuar, si dhe disa gjëra të tjera. Këto të dhëna i jep tekniku i Erzenit, Dorjan Bubeqi, në një prononcim për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes me Burrelin, nga ku pret fitoren.Bubeqi

“I kam analizuar me qetësi gabimet e bëra në të gjitha takimet dhe është finalizimi që na pengon. Në këtë aspekt duhet të përmirësohemi, ndaj dhe në seancën stërvitore para ndeshjes me Burrelin e vendit të parë jam fokusuar te gjuajtjet në portë. Kam besim te grupi, edhe pse kundërshtari është tepër i fortë dhe duket më i favorizuar. Por, kemi përgjegjësi dhe jemi të ndërgjegjshëm që gjendja aktuale duhet të ndryshojë. Të dielën do të tentojmë fitoren, por edhe barazimi do të jetë i pranueshëm”, tha kryepankina e shijakasve.

Nikaj

NIKAJ– Trajneri i Burrelit, Samuel Nikaj, është tepër i kënaqur me lojën që bënë djemtë ndaj Korabit, por kërkon vazhdimësi nga ekipi deri në merkaton e dimrit, ku mund të bëjnë ndonjë afrim. “Iu gëzova ndeshjes me Korabin për vetë paraqitjen që bëmë. Ishte fitore bindëse ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Fillimisht ndërtuam një ekip që do të kthente entuziazmin, por gjatë rrugës oreksi u shtua, sepse kemi marrë pikë të rëndësishme edhe shpresoj që të vazhdojmë kështu. Ekipi është rritur shumë. Mendoj se loja e fundit tregoi një skuadër të denjë dhe ndër më të mirat që mund të ketë pasur ndonjëherë Burreli. Merkato? Mund të bëjmë 1 ose 2 përforcime, pasi nuk na duhen më shumë. Grupi është shumë i mirë, pasi 4-5 lojtarë kanë eksperiencë të gjatë në futboll. Kemi të paktën 5 lojtarë që i kanë lakmi edhe ekipet e Superiores. Erzeni? Ne çdo ndeshje e trajtojmë si finale për t’u fituar, pasi vetëm kështu ngjitemi në elitë. Nuk nënvlerësoj asnjë ekip, pasi ky është kampionat që ka të papritura. Shkojmë për t’u kthyer me tri pikë nga Shijaku”, u shpreh trajneri Nikaj.

q

ERALD DERVISHI/ DRITAN KURTI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"