Erzeni beson se kthesa do vijë ndaj Orikut, Qejvani e ka ende me gjykimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2020 | 12:31

Erzeni beson se kthesa do vijë ndaj Orikut, Qejvani e ka ende me gjykimin

Erzeni beson se kthesa do të vijë në transfertë. Humbja në shtëpi me Dinamon djeg, megjithatë kohë për të “qarë” nuk ka më. Pikërisht sot shijakasit do të luajnë në me Orikun dhe fitorja është detyrim. Këtë e thotë për gazetën edhe vetë trajneri Dorjan Bubeqi:

Bubeqi

“Pavarësisht rezultatit në ndeshjen me Dinamon, ne si staf jemi munduar që t’ua heqim nga kujtesa lojtarëve atë humbje dhe fokusi të zhvendoset tek Oriku. Po shkojmë atje për të dhënë dhe marrë maksimumin. Na penalizon shumë mungesa e Troplinit, por shpresojmë që edhe ai lojtar që do ta zëvendësojë të japë më të mirën”. I pyetur për gjykimin në humbjen me blutë, tekniku i shijakasve shprehet: “Thashë që nuk do të merrem dhe atë bëra, por besoj se nga pamjet filmike mund ta gjykoni edhe ju. Ajo ndeshje iku dhe shpresoj të kenë qenë gabime njerëzore”.

Ardi Qejvani fajëson gjykimin për humbjen e pësuar përballë Korabit. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai vlerëson lojën e bregdetarëve dhe deklaron se kundër Erzenit do të gjejnë fitoren e parë. “Jo gjithmonë është faji ynë për humbjen. Shpesh ndikojnë edhe vendime dhe faktorë të tjerë brenda fushës. Dua të them se ndeshjen me Korabin e vendosi gjykimi. Nuk duhet të ndodhte kështu që në start. Oriku bëri një paraqitje të mirë.

Nuk e meritonim humbjen”, thotë 27-vjeçari, që vëmendjen e ka te takimi i radhës me Erzenin, ku objektiv i vetëm për ekipin e tij do të jetë fitorja. “Duhet ta harrojmë se çfarë ndodhi në takimin e parë, tani të shikojmë përpara. Në ndeshjen me Erzenin na duhen tri pikët. Fitorja është një detyrim për ne. Do të angazhohemi maksimalisht të gjithë për t’ia dalë”, përfundon Qejvani.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"