Erxhan Muça drejt rinovimit me Dinamon, i ofrohet shiriti i kapitenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2017 | 16:55

Erxhan Muça drejt rinovimit me Dinamon, i ofrohet shiriti i kapitenit

Drejtuesit e Dinamos po punojnë për të ndërtuar ekipin e sezonit të ri, buxheti i të cilit do të përcaktohet nga presidenca në muajin gusht. Aktualisht nuk ka asnjë të dhënë për sa i përket aspektit financiar, ndaj dhe trajneri Allmuça e drejtuesit e tjerë të klubit, po punojnë për të evidentuar lojtarët e rinj me të ardhme, të cilët aktualisht nuk kanë edhe kosto.

Dinamo

Në të ardhmen, klubi edhe mund t’i shesë për të gjeneruar të ardhura. Kujtojmë që Dinamo ka dhe ekipet zinxhir, që çdo vit prodhojnë me dhjetëra lojtarë. Mësohet se, administratori Ismet Saliaj ka biseduar me Erxhan Muçën, një prej shtyllave të ekipit në këto 4 sezone që ekipi luan në Kategorinë e Parë.

Ai është një lojtar besnik i Dinamos, ndaj ka pranuar që të jetë pjesë e ekipit dhe pse akoma nuk është qartësuar situata financiare. 25-vjeçari pritet që të mbajë edhe shiritin e kapitenit. Mbrojtësi ka qenë dhe më parë kapiten, por pikërisht kur në ekip mbërritën lojtarë me mjaft eksperiencë si vetë trajneri Allmuça në sezonin 2015-2016, ai e pasoi shiritin në shenjë vlerësimi dhe respekti për atë çka Igli Allmuca kishte dhënë më parë me Dinamon dhe në futbollin shqiptar.

Në katër sezone me blutë, Muça ka zhvilluar plot 112 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola. Shtatlarti ka qenë një nga pikat më të forta të Dinamos. Sezonin që kaloi, blutë patën shumë probleme financiare, por edhe pse me vështirësi ia dolën të mos binin më poshtë. Edhe pse me sforco, administratori Saliaj bëri një pjesë të mirë të pagesave të prapambetura.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"