Erlind Pëllumbi konfirmohet në krye të FSHV-së, u votua unanimisht nga klubet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2020 | 19:10

Erlind Pëllumbi konfirmohet në krye të FSHV-së, u votua unanimisht nga klubet

Në ambientet e Parkut Olimpik në kryeqytet u zhvillua dje asambleja e 30-të e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Një asamble, e cila ishte gjithashtu zgjedhore, pasi u votua për drejtuesit e sportit të rrjetës për 4 vitet e ardhshme. Ashtu sikurse pritej, Erlind Pëllumbi do të jetë sërish në krye të federatës, duke u rizgjedhur president për të dytën herë radhazi. Pëllumbi, i cili ishte propozuar nga të gjitha shoqatat dhe klubet anëtare të FSHV-së, dje u votua edhe unanimisht prej tyre.

dddd

Nga 25 përfaqësues klubesh të akredituara, në asamble morën pjesë 23, ndërsa të gjithë dhanë votën e tyre për Pëllumbin, duke i besuar edhe për një mandat të dytë në sportin e rrjetës. Pasi u konfirmua në krye të volejbollit, në një prononcim për “RTSH Sport” Pëllumbi do të shprehej: “”Unë e theksova dhe më parë që është një obligim ndaj këtij komuniteti për të vazhduar punët e nisura që më parë. Dhe besoj se të gjithë së bashku do të bëjmë më të mirën”, ndërsa më pas foli edhe për synimet që FSHV-ja ka në katërvjeçarin e ardhshëm: “Ne e kemi shpallur që më parë strategjinë tonë, ndërsa do të vazhdojmë të këmbëngulim në rritjen e cilësisë te moshat”.

Në fund nuk mund të mos mungonte edhe komenti për një prej pikave më delikate, siç janë financat, të cilën e ka theksuar vazhdimisht edhe në të shkuarën në shumë dalje për mediat: “Absolutisht që financat janë komoditeti për të vazhduar normalisht punën, por do t’i japim zgjidhje edhe kësaj çështjeje”. Përveç zgjedhjes së presidentit, dje u votua edhe për anëtarët e rinj të Komitetit Drejtues, ku verdikti i votimit zgjodhi këta: Artur Dhimo (20 vota), Gentiana Nicaj (19 vota), Dashamir Brari (19 vota), Sokol Halili (19 vota), Ilia Vasili (17 vota) dhe Xhozafa Sejfullai (17 vota).

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"