Erli Çupi, talenti që magjeps. Jani Kaçi: Ka të ardhme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2016 | 20:40

Erli Çupi, talenti që magjeps. Jani Kaçi: Ka të ardhme

 

 

Erli Çupi është një nga emrat më të përfolur sa i përket talentit që zotëron. 19-vjeçari ka rënë në sy gjatë këtij sezoni me Skënderbeun U-19, duke treguar teknikë, aftësi organizative, gjuajtje precize, finalizim dhe një klas që rrallë vërehet në kampionatin e të rinjve. Në fakt, e gjithë kjo përgatitje e fantazistit të klubit korçar nuk është e rastësishme. Talenti i tij u pikas që në moshë të vogël, kur u shpall fitues në turneun “Milan Junior Camp” në 2008-ën.

13348781_10210021953452322_838348460_n

Në vitin 2013, ai u kërkua nga akademia e dy klubeve të Premier Ligës angleze, Uest Hemi dhe Sauthemptoni, në të njëjtën kohë që mori edhe ftesë nga Kombëtarja U-17. Pasi kaloi me sukses provat në Angli, vendosi të pranojë ofertën e Sauthemptonit, duke qenë se pati këmbëngulje personale nga Met Kroker (aktualisht drejtori i akademisë në Federatën Angleze), i njëjti që zbuloi edhe Garet Bejlin. Me Sauthemptonin, Çupi arriti të ecë me hapa të suksesshëm, duke luajtur rregullisht. Por, në momentin që pritej të kalohej në një tjetër nivel, problemet burokratike me dokumentacionet ia penguan një gjë të tillë. Madje, gjatë asaj kohe mori ofertë nga Benfika, Sportingu i Lisbonës dhe Akademika. Sauthemptoni pranoi vetëm që të provohej te Sportingu, ku arriti të kalojë me sukses, por në fund anglezët nuk pranuan që të shesin të drejtat e talentit.

I detyruar për shkak të problemeve me dokumentet, në momentin më të artë të karrierës me të rinjtë, fantazisti u rikthye në Shqipëri, për të luajtur me Skënderbeun, me të cilin ka qenë edhe shpeshherë pjesë e ekipit të parë. Një “CV” që konfirmon qartë talentin e tij, garanci që vjen prej akademive më prestigjioze të Europës dhe mbi të gjitha arsyen pse kërkohet nga disa klube të Superiores për sezonin e ardhshëm. Vetë trajneri që e ka pasur në dispozicion gjatë edicionit që sapo përfundoi, Jani Kaçi, ka dhënë garanci se Erli Çupin e pret një e ardhme e ndritur.

Jani Kaçi

Trajneri i Skënderbeut U-19, Jani Kaçi e vlerëson shumë të riun Eri Çupi. Ai thotë se është një lojtar me të ardhme dhe këtë e ka treguar me paraqitjet që ka bërë gjatë kampionatit që përfundoi. “Çupi ka një vit që është pjesë e ekipit U-19 të Skënderbeut. Shquhet për një përgatitje teknike shumë të mirë. Unë e kam aktivizuar në disa pozicione, në mesfushë dhe si sulmues kryesor ku ka shënuar edhe gola. Gjatë ndeshjeve të fundit, arriti në formën maksimale sa i përket aspektit fizik. Ka një karakter shumë të mirë dhe vjen nga një familje fisnike. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, sepse duhet të jesh fisnik që të bëhesh lojtar i mirë. E them me bindje se është një lojtar që ka perspektivë. Paraqitja e tij me ekipin e të rinjve të Skënderbeut ishte e shkëlqyer gjatë kampionatit që përfundoi dhe besoj se do të ketë edhe më shumë ngritje sezonin e ri”, u shpreh tekniku Jani Kaçi në lidhje me fantazistin Erli Çupi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"