Erkand Qerimaj: Gati për kampionatin, peshëngritja është sporti më i suksesshëm në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2019 | 23:31

Erkand Qerimaj: Gati për kampionatin, peshëngritja është sporti më i suksesshëm në Shqipëri

Peshëngritja, sporti më i suksesshëm shqiptar, rikthehet me garat e saj këtë fundjavë, pasi më 19 korrik në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, do të mbahet kampionati kombëtar për të rritur.

qerimaj

Ky event është jubilar, pasi përkon me 70- vjetorin e themelimit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe, si gjithnjë, do të shikojë të garojnë sportistët më të mirë nga të gjitha klubet e vendit, si për meshkuj ashtu edhe për femra. Gjithashtu, ky event është vendimtar për të përcaktuar ekipin kombëtar që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në shtator në Tajlandë.

Erkand Qerimaj, njëri prej shtangistëve më të mirë shqiptarë dhe gjithashtu shumë i suksesshëm edhe në arenën ndërkombëtare, vjen në këtë kompeticion me pritshmëri të larta dhe do të kërkojë një tjetër triumf si ai që arriti disa muaj më parë, kur u shpall sportisti më i mirë në kupë, pas një gare spektakolare me një tjetër emër gjigant të këtij sporti, si Briken Calja. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Qerimaj fillimisht flet për formën që po kalon aktualisht.

“Jam stërvitur mjaft mirë, me nga dy seanca në ditë me trajnerin tim Zef Kovaçi. Ngarkesa, ashtu siç duhet në prag të garave kombëtare, duke e rritur atë nga javë në javë dhe ndihem në formë shumë të mirë”, shprehet Qerimaj. Më pas 30- vjeçari shkodran tregon edhe objektivat që ka në këtë garë: “Kampionati kombëtar është një test shumë i mirë për mua, duke qenë se dy muaj më pas do të kemi edhe Kampionatin Botëror. Do të më shërbejë për të kuptuar edhe më mirë se në çfarë gjendjeje jam. Sigurisht që do të futem për të dhënë rezultatet e mia më të mira. Të them drejtën, nuk më pëlqen që të shprehem shumë para garave, por ajo që mund të them është se gëzoj një formë mjaft të mirë”.

Shtangisti i kombëtares komenton gjithashtu edhe gjendjen që po kalon sporti i peshëngritjes në vendin tonë, duke e vlerësuar atë si mjaft të mirë, ku u referohet medaljeve dhe suksesit që kuqezinjtë kanë arritur në arenën ndërkombëtare: “Arritëm të fitonim 5 medalje në Kampionatin Europian dhe peshëngritja është i vetmi sport në Shqipëri që arrin të dhurojë rezultate të tilla në një event ndërkombëtar. Unë solla medalje edhe nga Botërori dhe nuk shikoj ndonjë sport tjetër të ketë këto arritje. Rezultatet flasin qartë dhe shtanga në vendin tonë po gëzon një moment shumë të mirë”. Në fund Qerimaj bën thirrje që këto rezultate të cilat po arrin peshëngritja të konvertohen me mbështetje nga ana e shtetit. “Që të ketë vazhdimësi edhe për të ardhmen, duhet që arritjet dhe rezultatet tona të ecin paralel me përkrahjen dhe mbështetjen që ky sport duhet të marrë nga organet drejtuese”, përfundoi prononcimin e tij kampioni shkodran që garon për ngjyrat e skuadrës së Tiranës.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"