Erkand Qerimaj flet pas garës në Lojërat Mesdhetare: I lumtur për medaljen, por çfarë padrejtësie nga gjyqtarët…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2022 | 13:52

Erkand Qerimaj flet pas garës në Lojërat Mesdhetare: I lumtur për medaljen, por çfarë padrejtësie nga gjyqtarët…

Erkand Qerimaj vazhdon të regjistrojë rezultate të mëdha në arenën ndërkombëtare, teksa suksesi më i fundit vjen nga Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Algjeri, aty ku peshëngritësi kuqezi mori medaljen e argjendit në stilin e shkëputjes, në një garë të shoqëruar me polemika të forta për shkak të gjykimit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, shkodrani fillimisht rrëfen emocionet e suksesit në Oran:

QERIMAJ

“Ishte shumë e rëndësishme që mora medaljen e argjendit, duke u futur kështu në podium. Kisha vetëm 1 kg diferencë me vendin e parë dhe forma ime në garë ishte shumë e mirë.

Në nxehje isha edhe më mirë se në Kampionatin Europian”, shprehet Qerimaj.

Më tej, peshëngritësi ndalet të flasë për atë vendim skandaloz të gjyqtarëve, të cilët fillimisht i quajtën të pavlefshme provën perfekte me 149 kg në stilin e shkëputjes:

“Për sa i përket asaj që ndodhi me gjyqtarinë, ishte një moment acarimi, pasi ishte një padrejtësi kthimi i provës.

Normalisht pas atij vendimi, unë, presidenti Gjoza, trajneri Bishanaku dhe presidenti Ylli, të gjithë protestuam dhe kërkuam videon, në mënyrë që të na tregonin se ku ishte bërë faulli që ato pretendonin.

Normalisht, pas protestës sonë, ata e kthyen vendimin, sepse nuk kishin të drejtë, pasi nëse do të kishin të drejtë, sigurisht që nuk do ta ndryshonin vendimin”, rrëfen 33-vjeçari. Qerimaj, më tej, sqaron mospjesëmarrjen në stilin e shtytjes, por gjithsesi, shprehet shumë i lumtur me medaljen e fituar dhe me paraqitjen e treguar në Lojërat Mesdhetare:

“Normalisht, pas gjithë asaj situate të tensionuar, nuk kisha se si ta vazhdoja më garën në stilin e shtytjes dhe e mbylla aty konkurrimin.

Megjithatë, medalja e argjendit është një rezultat shumë i rëndësishëm për mua, për Shqipërinë, për familjen, për të gjithë.

Jam shumë i lumtur për të gjithë stërvitjen dhe sakrificat që kam bërë, duke rënë në peshë dhe duke mbajtur dietën e nevojshme.

E rëndësishme për mua është që tregova edhe një herë një formë shumë të mirë.

Edhe provat që nuk i realizova, ishin thjesht çështje përqendrimi, pasi në provën që realizova me peshë edhe më të madhe, arrita të përqendrohesha më mirë dhe e kalova me shumë sukses”, përfundon prononcimin e tij peshëngritësi Erkand Qerimaj, i cili vetëm një muaj më parë është shpallur edhe kampion i Europës, duke marrë medaljen në aktivitetin e zhvilluar në Tiranë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"