Erë ndryshimesh/ Tjetër Milan në fazën e dytë, skema 4-4-2 funksionon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 21:59

Erë ndryshimesh/ Tjetër Milan në fazën e dytë, skema 4-4-2 funksionon

Zbarkimi i Zlatan Ibrahimoviçit u përkufizua si një ndihmë hyjnore nga Stefano Pioli. Pas debutimit si zëvendësues në barazimin pa gola kundër Sampdorias, kuqezinjtë – për të marrë maksimumin nga suedezi – ndryshuan kurs për të kaluar nga skema 4-3-3 në 4-4-2. Përveç modulit, trajneri ka zgjedhur të tentojë kthesën edhe me fytyra të reja, duke i besuar Leaos krah Ibrës dhe Kastijehos. Duke marrë si bazë të njëjtën ndeshje (ndaj Udinezes) të fazës së parë, “Djalli” ka ndryshuar plot 8 futbollistë të formacionit që humbi atë takim. 

teo hernandez

Hernandez ka marrë vendin e Rodrigezit, Kjaer të Muzakios, Benaser të Bilias, Leao të Susos, Rebiç të Çalhanoglusë, Kesi të Borinit, Bonaventura të Paketas dhe Ibra të Piontekut. Rezultatet i kanë dhënë të drejtë teknikut 54-vjeçar, i cili në 4 ndeshjet e fundit ka regjistruar një barazim dhe 3 fitore, një nga të cilat për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Italisë.

pioli romanjoli

GJALLËRIM – Pioli ka fituar bastet për Benaserin, Hernandezin e Kastijehon, teksa thuajse një javë më parë shpluhuroste Rebiçin, njeriu i ndeshjes të dielën. Për kroatin, madje, u bë një tjetër modifikim taktik, me Milanin që kaloi në 4-2-3-1, duke qenë se duhej përmbysur rezultati. Skuadra është e njëjta, limitet të njëjta, por qëndrimi i kuqezinjve në fushë ka ndryshuar dukshëm. Tetë gola të shënuar e vetëm dy të pësuar në 4 ndeshje janë sinjale që ngjallin optimizëm, teksa edhe zonat e rreptësisë së rivalëve gjatë këtij muaji janë populluar më shpesh nga fanellat kuqezi. Milani i parashikueshëm i fazës së parë ia ka lënë vendin një skuadre me ide më të qarta, por që me Ibrën, Hernandezin apo Leoan ka gjithmonë në karikator një plumb rezervë për rastet e emergjencës.

Milan Ibra

EFEKTI IBRA – Ardhja e Zlatan Ibrahimoviçit ka ndihmuar jo pak, të paktën në këto ndeshje të para me suedezin në fushë. Samu Kastijeho, i aktivizuar si mesfushor krahu, rol ku jep më të mirën, po shfrytëzon më së miri vështirësitë e Susos. Jo më kot në tri ndeshjet e fundit ka regjistruar dy asiste dhe një gol, teksa driblimet një për një e shohin shpesh fitimtar dhe frytdhënës për manovrën e ekipit. Me Kastijehon skuadra fiton një kohë loje pasi numri 7 merr fundoren dhe kroson, teksa në kohët e Susos duhej pritur një prapakthehu e numrit tetë për të nxjerrë topin në të majtën e për të krosuar. Përveç Kastijehos, edhe Kruniç e Benaser kanë pasur rastet e tyre për të lënë gjurmë, teksa shansin së shpejti do ta ketë edhe Paketa. Milani me siguri që nuk është shëruar, por rruga duket e duhura dhe në fund të tunelit dallohet më shumë se një rreze drite…

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"