Erdhi me gomone dhe Mihajloviç i dhuroi ëndrrën, historia e veçantë e emigrantit që dënoi Interin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2020 | 23:51

Erdhi me gomone dhe Mihajloviç i dhuroi ëndrrën, historia e veçantë e emigrantit që dënoi Interin

Më 10 qershor 2016, një Musa Juvara, shumë i vogël, linte Afrikën në bordin e një gomoneje për të zbarkuar në mënyrë ilegale në brigjet e Sicilisë. Diçka më shumë se 4 vite më pas, ai djalë i ri, i cili jetoi në një qendër pritjeje në Bazilikatë dhe më pas adoptohej nga trajneri i tij i parë, shënoi golin e parë në Serinë A. Një gëzim i papërmbajtshëm për sulmuesin e datëlindjes 2001, i cili me golin e tij kontribuoi në fitoren madhështore me përmbysje të Bolonjës së tij, kundër Interit.

gettyimages-1224905783-1024x1024

KUSH ËSHTË MUSA… – Musa Juvara, protagonisti surprizë i Inter-Bolonja, me të zbarkuar në brigjet siciliane, konkretisht në Ruoti, mbushte ditët e tij, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga Gambia, duke luajtur me topin, atë që do t’i ndryshonte jetën në vazhdim. Por Musa, ndryshe nga shumë të tjerë në atë qendër pritjeje, tregoi shumë talent, aq sa fitoi edhe mundësinë që të luante me skuadrën e të rinjve të provincës, Virtus Aviljano.

Menjëherë, ai vendosi një marrëdhënie unike me familjen e trajnerit të ekipit, Vitantonio Suma, i cili për më tepër vendosi edhe ta adoptojë. Juvara la në këtë mënyrë qendrën ku jetonte dhe shkoi të jetonte në familjen Suma, ku u prit si një vëlla edhe nga dy djemtë e tjerë të çiftit. Në vitin 2017, sulmuesi i ri përfundoi edhe në shënjestrën e Kievos, i cili pas një serie problemesh me federimin e Juvaras, arriti që ta bëjë të vetin talentin afrikan dhe ta regjistrojë në skuadrën U-19. Grumbullimi i parë me verdheblutë erdhi në fund të vitit 2018, përpara se Musa të transferohej në formë huazimi në radhët e të rinjve të Torinos, për të qenë protagonist në turneun e Viarexhos.

30418102-8491963-image-a-25_1593969400157

Pas aventurës me “demat”, ku shënoi 3 gola në 3 ndeshje, rikthimi në shtëpi ishte edhe më i ëmbël, duke qenë se në majin e vitit 2019 iu dhurua edhe debutimi përballë Frozinones. Talenti i tij spikaste në sytë e shumë vëzhguesve talentesh, aq sa në verën e vitit të kaluar, Bolonja vendosi që të paguajë 500 mijë euro për kartonin e tij dhe Sinisha Mihajloviç vendosi menjëherë që t’i japë besim të riut nga Gambia. Dhe ky besim, i pastër dhe i sinqertë, njësoj si buzëqeshja e afrikanit pas golit të parë në Serinë A, i dhuroi ëndrrën për të luajtur dhe madje për të shënuar ndaj Interit golin e barazimit 1-1, atë që i hapi rrugë përmbysjes madhështore të Bolonjës dhe mbi të gjitha Musa Javaras që të vërë cilësitë e tij në vitrinë.

GËZIMI I MUSAS – Pas golit në “San Siro”, edhe të gjithë mikrofonat e medias së pranishme ishin të gjithë për të, me imazhet e Musa Juvaras që pa dyshim do të kenë shkuar deri në Gambian e largët dhe për të dhënë një mesazh se mrekullitë dhe ëndrrat ndodhin nëse beson.

30437124-8493393-image-a-2_1594024512966

Por për të konfirmuar edhe përulësinë e këtij djaloshi të talentuar, goli shkonte i gjithi për një person të vetëm: “Goli që unë shënova nuk është meritë imja, por e trajnerit Mihajloviç. E falënderoj sepse më dha mundësinë që të luaj kundër Interit. Jam shumë i lumtur, sepse jam vetëm 18 vjeç dhe shënova në ‘San Siro’, diçka që do ta kujtoj gjatë gjithë jetës sime. Jam i lumtur për golin dhe rezultatin. Ishte goli im i parë, ndaj dua t’ia dedikoj edhe familjes dhe menaxherit tim. E ardhmja ime? Po punoj fort. Besimi që më jep Mihajloviç është forca ime, ndaj e falënderoj”, u shpreh Musa Juvara.

PËRGATITI: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"