Erdhi me bujë në merkaton e verës, futbollisti i Bylisit drejt largimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2022 | 14:36

Erdhi me bujë në merkaton e verës, futbollisti i Bylisit drejt largimit

Nga dje në Ballsh kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me Laçin për javën e 13-të, që pritet të zhvillohet më 11 dhjetor në stadiumin “Adush Muça”.

Riste Karakamishev

Takimi duket mjaft interesant dhe ballshiotët pas shtatë ndeshjeve pa marrë asnjë fitore do të kërkojnë me patjetër 3 pikët në shtëpinë e tyre.

Kujtojmë që pikërisht Bylisi mori në Laç fitoren e parë dhe të vetme në transfertë deri tani, me rezultatin 0-1 në saj edhe të eurogolit të Trumcit. Bylisi ka një organikë të pasur me lojtarë cilësorë dhe kualitativë nga tregu vendës dhe i huaj.

Trajneri Arian Bellai, bashkë edhe me ndihmësit e tij, Mihalidhis dhe Bregasi, dje e kanë nisur ditën me një stërvitje me ngarkesë, teksa skuadra është stërvitur në palestrën që ndodhet në qendrën e qytetit të Ballshit.

Ndërsa pasdite, mallakastriotët kanë zbritur në fushën e kompleksit “Bylis”, duke zhvilluar ushtrime me topin.

Pritet që sot të caktohet edhe kundërshtari për një tjetër miqësore, ku trajneri Arian Bellai të shohë edhe më mirë të gjithë lojtarët dhe të mendojë edhe për 11-shen anti-Laç.

Nga ana tjetër, në Ballsh janë duke punuar me llogari, nisur edhe nga fakti se luajnë me skuadra rivale për mbijetesën, ku presin Laçin, më pas dy transferta me Egnatian dhe Erzenin e ndeshja e fundit zyrtare e kampionatit, ajo me Kukësin, në 28 dhjetor në Ballsh.

Ballshiotët do të synojnë pikët maksimale në të katër takimet për të mos mbetur pas rivalëve të mbijetesës.

LARGIMI – I ardhur me bujë në merkaton e verës, mbrojtësi maqedonas, Riste Karakamishev, duket se do të largohet nga Ballshi pa debutuar ende zyrtarisht me fanellën e Bylisit.

27-vjeçari duket se nuk ka bindur, por s’ka pasur as fatin me vete, pasi e kanë ndjekur shpesh problemet fizike prej dëmtimeve.

Më tepër mbrojtësi ka luajtur me ekipin U-21 të Bylisit, ndërsa me skuadrën e parë është grumbulluar në vetëm tri ndeshje deri më tani, por pa marrë asnjë minutë.

Gjithsesi, pritet vendimi që do të marrë klubi mallakastriot në lidhje me merkaton, si në dalje dhe në hyrje, për të qartësuar edhe pozitat e maqedonasit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"