Erdhën për të bërë diferencën, Bylisi i pakënaqur nga dy sulmuesit e huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 18:50

Erdhën për të bërë diferencën, Bylisi i pakënaqur nga dy sulmuesit e huaj

Bylisi ka qenë shumë aktiv gjatë merkatos së verës duke afruar lojtarë nga tregu vendës dhe i huaj. Ballshiotët janë përforcuar me disa futbollistë të huaj, si kamerunasi Miçëll, ganezi Opoku, si dhe Celis i ardhur nga Argjentina. Prej të treve pritej shumë, por duhet theksuar se ata nuk kanë dhënë më të mirën e tyre.

Bylis

Madje argjentinasi Diego Celis ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar, në barazim 0-0 që Bylisi mori ndaj Teutës në Ballsh. Për ganezin dhe argjentinasin u thanë fjalë të mira në verë kur do të bashkoheshin me Bylisin, pasi flitej për kualitete me eksperiencë.

Por, Celis ka realizuar vetëm 1 gol, që për hir të së vërtetës ka qenë mjaft i bukur, goli që i shënoi Tiranës në fitoren 3-1 në Ballsh. Në 13 javë kampionat sulmuesi amerikanolatin ka luajtur 410 minuta.

 Opoku- Ganezi vinte pas eksperiencave në Ganë, SHBA apo edhe në Ligën e Parë në Danimarkë. Ai erdhi në limitet e merkatos në Ballsh si një lojtar me perspektivë, por duhet theksuar se ka luajtur vetëm 41 minuta gjithnjë si zëvendësues në fund të ndeshjeve. Ka qenë vetë trajneri Dovedan, i cili pas ndeshjes me Kukësin tha se afrimet në sulm nuk kanë bërë diferencën.

bylis

Tashmë në Ballsh presin rikthimin e Antonios dhe pritshmëria ndaj tij është e madhe. Nigeriani që shihet si talent në Ballsh është në fazë rikuperimi. Shpresat janë të mëdha, pasi bëhet fjalë për një talent 20-vjeçar që në sezonin e shkuar ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Kategorisë së Parë.

Merkato- Zgjidhja e vetme mbetet merkatoja, megjithatë presidenca do të analizojë skuadrën dhe ecurinë e çdo lojtari. Nëse Guindo dhe Antoni performojnë si dyshe si sezonin e shkuar, në Ballsh nuk do të ketë ndryshime në sulm, pasi aktualisht ofensiva ka 6 lojtarë, shumica me eksperiencë.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"