Erdhën me bujë dhe përfunduan në tribunë, 3 futbollistë drejt largimit nga Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2022 | 15:05

Erdhën me bujë dhe përfunduan në tribunë, 3 futbollistë drejt largimit nga Skënderbeu

Skënderbeu po bën planet për pjesën e dytë të sezonit, me qëllimin që të kthehet në një ekip kompetitiv dhe të arrijnë objektivin për rikthimin e shpejtë në Kategorinë Superiore. Në kushtet kur korçarët e mbyllën vitin në vendin e katërt dhe 2 pikë larg pozicionit të dytë, që të ngjit direkt në Superiore, të besuarit e trajnerit Ivan Gvozdenoviç janë gati të bëjnë një sforco për objektivin madhor.

SKENDERBEU

Duke parë një situatë të tillë, detyra për ta çuar Skënderbeun drejt objektivit mbetet e serbit 44- vjeçar, ndaj edhe për këtë arsye në Korçë kanë filluar të mendojnë për ndryshimet në ekip dhe forcimin e grupit në merkato.

Por, veç emrave që janë lakuar si të preferuarit e drejtuesve bardhekuq për t’i bërë pjesë të skuadrës, korçarët kanë filluar edhe selektimet për të larguar elementët e panevojshëm që nuk kanë përmbushur pritshmëritë e klubit. Burime të sigurta pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se të parët që pritet të ndërpresin bashkëpunimin me Skënderbeun janë tre ganezët që nuk kanë lënë shenjë në klubin bardhekuq. Bëhet fjalë për mbrojtësin Kelvin Doseh, mesfushorin Derrik Frimpong dhe sulmuesin Leonard Ovusu.

Skenderbeu5

Të tre këta lojtarë që janë afruar gjatë merkatos së verës nuk kanë arritur kurrë të ngrihen në kërkesën e Skënderbeut dhe në shumicën e rasteve kanë përfunduar në tribunë. Me shumë mundësi, të tre këta futbollistë do të mbyllin bashkëpunimin me klubin, pasi nuk janë në planet e trajnerit. Nga ana tjetër pritet që të tjera largime të pasojnë ganezët, por gjithçka do të shihet në bazë të afrimeve që do të bëhen këtë periudhë.

Të paktën ky është plani i parë i Gvozdenoviç dhe enturazhit të klubit bardhekuq. Ashtu siç ka paralajmëruar gazeta, sa i përket afrimeve, përveç rikthimit të mesfushorit Randi Dumfur, edhe fantazisti brazilian, Agnaldo Moraesh, mund të rivishet bardhekuq. Mësohet se Gvozdenoviç i ka bërë me dije edhe presidentit Takaj se duhen të paktën 4 lojtarë cilësorë për të garantuar rikthimin në elitë. Kreu i klubit është treguar i gatshëm të ndërhyjë fuqishëm.

LLAZI SARO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"