Erdhën dhe ikën, Gjyla “shfryn” për Maganin e Trokthin: Jam mësuar më këtë “racë” lojtarësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2021 | 16:25

Erdhën dhe ikën, Gjyla “shfryn” për Maganin e Trokthin: Jam mësuar më këtë “racë” lojtarësh

Ilir Gjyla “skanon” Lushnjën. Java e fundit është shoqëruar me hyrje-dalje te verdhejeshilët, por ata që e kanë shqetësuar më shumë trajnerin ishin Endrien Magani e Florian Trokthi. Erdhën dhe ikën, ndonëse po u bëhej gati kontrata. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, tekniku komenton këtë që ndodhi, por edhe fazën përgatitore në tërësi dhe planet e merkatos. Pohon se do të zhvendosen në Përmet, ndërsa konfirmon se i duhen “krahë” dhe një tjetër sulmues.

Ilir Gjyla

Profesor, ku është Lushnja me përgatitjet?

Jemi në fazën e parë të stërvitjes. Në atë që është themeltarja. Sapo kemi filluar, ndaj nuk po jap ngarkesë 100%. E megjithatë, do ta shtoj ditaditës.

A do t’i zhvendosni përgatitjet në kushte grumbullimi?

Do të shkojmë edhe në fazë përgatitore. Përgatitemi për të shkuar në Përmet. OKin e kemi nga presidenca, nga bashkia. Kështu që, jemi në rregull. Rrallë skuadra të Kategorisë së Parë bëjnë dy faza përgatitore, dimërore dhe verore. Unë kam pasur një takim të fundit me kryebashkiaken dhe kemi marrë dakordësinë.

Do të zhvilloni ndonjë miqësore para nisjes?

Kemi një ndeshje miqësore të planifikuar, të shtunën me Besën dhe presim përgjigje, që do na vijë të mërkurën.

Si vendosët për brazilianët?

Njëri e kaloi klasën, kurse tjetri jo. Bëhet fjalë për sulmuesin Hugo da Silva që i kemi dhënë OK-in dhe duhet për skuadrën. Kjo nuk do të thotë që duhet të mjaftohemi vetëm me atë për ofensivën. Na duhet një sulmues tjetër, me patjetër madje.

Endrien Magani dhe Florian Trokthi ishin në stërvitje me Lushnjën, por u larguan…

Menduam se e kompletuam skuadrën. Morëm dy futbollistë. Punuan tre-katër ditë dhe na e punuan. Një javë ose 10 ditë nuk është pak për të mbetur boshllëqe. Kjo javë që punuan këta dy futbollistë neve na vuri në gjumë për të mos marrë futbollistë të tjerë. Duhet të mendohemi për t’i zëvendësuar. Donim dy-tre, tani na u hap shteg. Mendoj se na duhen disa futbollistë të tjerë, sidomos në krahun e djathtë që e kemi bosh.

Ç’ndodhi më konkretisht me Maganin?

Magani me dëshirën e vet na u afrua, u vetofrua. Duke e njohur që është Magani, duke ditur cilësitë e tij, e pranuam. Ka qenë disa herë këtu dhe nuk ishte lojtar që do të provohej te Lushnja. Erdhi dhe u largua me dëshirën e vet. Nuk e di pse dhe si…! Megjithatë, nuk kam më nerva të komentoj këta, sepse jemi mësuar me këtë “racë” futbollistësh.

Po me Trokthin?

Po kështu edhe Trokthi. Një lojtar interesant, tamam, për krahun e djathtë. Të enjten i thamë të na sillte dokumentacionin, për ta futur të premten në rrogë, por ai nuk na paraqitet. Madje, nuk na thotë as “ditën e mirë”. Na pëlqyen që i morëm. Le të jesh futbollist i mirë sa të duash. Po nuk qe njeri… Megjithatë, Zoti ua bëftë mbarë atje ku do të shkojnë. Pak rëndësi ka dhe nuk është fundi i botës.

Cilat probleme?

Problemet tona. Një nga krahu i majtë dhe dy nga krahu i djathtë dhe një sulmues. Por, me këta që na ikën… Nëse nuk do të na iknin, na duheshin një sulmues, ndonjë mesfushor, 2-3 lojtarë. Tani e them me bindje që na duhen nga krahu i djathtë dhe një sulmues patjetër.

A do të kompletohet skuadra para fazës?

Patjetër që ne duam t’i realizojmë blerjet para se të shkojmë në Përmet. Se sa do t’i realizojmë mbetet për t’u parë. Jemi në tratativa me disa futbollistë. Problemi ynë është ai që kam thënë gjithmonë. Është ajo kontrata para kampionatit. Dhënia e lekëve në dorë. Ne këtë nuk e kemi. Ne vazhdojmë të jemi korrektë, me të gjitha ato që kemi thënë dhe që janë të miratuara. Lushnjës vazhdon të mos i mungojnë as 20 qindarka.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"