“Erdha për titullin”, rrëfehet sulmuesi gjigant i Teutës: Dua të shënoj sa më shumë gola, ja kush më solli në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2020 | 22:26

“Erdha për titullin”, rrëfehet sulmuesi gjigant i Teutës: Dua të shënoj sa më shumë gola, ja kush më solli në Shqipëri

Ide Gomes Kolubali, i njohur ndryshe si Idelinjo, është blerja e Teutës në kërkim të golit, sulmuesi i shumëkërkuar në këtë merkato janari. Që dje, ai është lojtari më i ri i Teutës, duke qenë se klubi e ka prezantuar pasi ka firmosur kontratën njëvjeçare. Ide Gomes është 26 vjeç, me një karrierë të pasur, i gjatë 204 cm, konsiderohet një qendërsulmues i fuqishëm. 

tEUTA KULIBALI

Ka luajtur shumicën e karrierës në Portugali, me shumë klube, por spikat eksperienca me Boavistën, në sezonin 2015- 2016. Gjithsesi, nuk ka arritur të gjejë shumë hapësira, dhe falë karakteristikave të tij fizike, konsiderohet nga ekspertët e futbollit si një kërcënim domethënës në luftën në ajër, dhe një rrezik i vërtetë në zonën e kundërshtarëve, duke ua bërë mbrojtësve shumë të vështirë markimin.

Sezonin e fundit ka luajtur me Linkoln Reds në Gjibraltar, ku së fundmi ka shënuar 5 gola, me një mesatare prej një goli për çdo 35 minuta të luajtura. Me të, Teuta shpreson të ketë zgjidhur më në fund problemin e golit, problem që e ka shoqëruar përgjatë gjithë 2019-ës. Në intervistë e dhënë për “Panorama Sport”, Idelino Gomes Kolubali tregoi pse zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, ambientin që gjeti në skuadër dhe objektivat e sezonit.

Kush ju solli te Teuta? 

Në Durrës më solli menaxheri Alban Rexha me Joshua King Dada, kompania “double diamonds sports”.

Çfarë ju bindi të largoheshit nga Linkolni dhe të luani për Teutën?

Kam zgjedhur të vij në Shqipëri, sepse doja të nisja një aventurë ndryshe. Më kanë folur shumë mirë për Teutën dhe më ka tërhequr menjëherë projekti madhor i klubit durrsak. Të pasurit një eksperiencë në këtë ekip, më bën të kërkoj shumë nga vetja dhe duhet të shfaq aftësitë e mia.

Teuta ka shpenzuar shumë për ju, jeni gati ta justifikoni me gola? 

Është e rëndësishme që unë isha i lumtur që në fillim për të ardhur këtu. Jam profesionist dhe do të bëj maksimumin që të ndihmoj ekipin të ecë përpara dhe të bëj paraqitje sa më të mira me këtë fanellë.

 E dinit që Teuta vuan për gola? Sa do të shënoni, mund të bëni një premtim?

Për momentin nuk mund të them asgjë, pasi do të ishte një premtim pa bazë. Dua të jap maksimumin në këtë ekip dhe të bëj më të mirën.

 A mund të keni pak presion, duke parë të kaluarën tuaj në ekipe me emër?

Presioni është i pranishëm te çdo futbollist, por nuk është se kam ndonjë presion të madh. Do të mundohem të bëj të mirën në fushë dhe çdo lojtar ka të mirat e të këqijat e tij.

 Në të kaluarën tuaj, keni luajtur në Portugali, me skuadra si Boavista apo dhe Torrense, por edhe në Norvegji. Çfarë ndryshimi ka Shqipëria me këto kampionate?

Normal që futbolli në Europë ka shumë ndryshime me këtu, pasi luhet më shpejtë dhe është më i fortë taktikisht, pa përmendur infrastrukturën. Edhe këtu, kualiteti i futbollit është i mirë, pasi kjo po shihet edhe në Europë me ekipet shqiptare.

Çfarë synimesh keni në aspektin personal më Teutën?

Në aspektin personal, dua të bëj të pamundurën për të shkuar përpara si në karrierën sportive, ashtu edhe me Teutën, dhe shpresoj e dua që të fitoj trofe me ekipin e ri.

Sa i informuar jeni për futbollin shqiptar? 

Të them të drejtën, është hera e parë që njihem nga afër me futbollin shqiptar dhe kam ardhur enkas për të jetuar këtë eksperiencë të re.

kULIBALI TEUTA

Mendoni se do të përshtateni shpejt te Teuta, duke parë edhe ambientin?

Këtu kam gjetur një ambient mjaft të mirë, pasi të gjithë shokët e skuadrës po më afrojnë. Ambientimi me skuadrën nuk do jetë i vështirë, duke qenë se çunat po tregohen të mirë, besoj se do t’i kem afër si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së blertë.

Çfarë dinit për Shqipërinë para se të vinit në Durrës?

Di shumë pak. Është një vend shumë i bukur, por ka dhe njerëz që futbollin e duan shumë. Durrësi po më pëlqen, edhe pse kam vetëm dy ditë që jam këtu.

Për çfarë objektivash erdhët te Teuta, titullin apo Europën?

Kampionati është shumë i fortë. Për momentin, Teuta është vetëm 3 pikë larg vendit të parë. Do të jetë e vështirë në çdo ndeshje, por do të përqendrohemi vetëm te sfida e radhës. Në fund, do bëjmë llogaritë. Dëshira ime është të fitojmë, pse jo edhe titullin.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"