Epoka e Ferenc Pushkashit dhe dramat e saj “shqiptare”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2017 | 20:02

Epoka e Ferenc Pushkashit dhe dramat e saj “shqiptare”…

BESNIK DIZDARI

1.

Kjo foto krejt e jashtëzakon shme është botuar kohët e fundit në “France Football” prej mikut tim, kolegut francez Roberto Notariani. Fotogriafia i përket 22 shkurtit 1957, pra plot 60 vjetëve më parë. Në foto është futbollisti legjendar i historisë së njerëzimit, hungarezi Ferenc Pushkash. Kjo është foto më tronditëse e çasteve të vetmisë së tij po legjendare. Ai nuk është në fushën e lojës, nuk është me kostumin sportiv. Nuk është futbollisti Ferenc Pushkash. Është qytetari hungarez Ferenc Pushkash në çastet më të tronditëse të jetës së tij, ndarja me Hungarinë e tij mbas Revolucionit hungarez 1956.

pushkash

Sot, më 2017, po përkujtojmë përmes këtij tregimi të shpejtë, në prag të finales së Ligës së Kampioneve, por edhe për kujtim të 90-vjetorit të tij të lindjes Ferenc Pushkashin. Por edhe sepse sot e kësaj dite Ferenc Pushkash është i vetmi autor i katër golave në një finale të Kupës së Kampioneve të Europës, ajo që sot quhet Liga e Kampioneve. Është fjala për finalen e 18 majit 1960, në stadiumin “Hampden Park” të Gllaskout, atë Real Madrid – Eintracht i Frankfurtit 7-3 që sot e kësaj dite mbahet si finalja më spektakolare në gjithë historinë e Kupës së Kampioneve.

Ndërkaq, kjo foto – emblemë edhe e këtij shkrimi – që e boton Roberto Notariani tash së fund në “France Football” në të vërtetë është për një studim psikologjik. Në fytyrën e Pushkashit shprehet qartë një mërzi dhe një nostalgji, një vendosmëri dhe një pavendosmëri. Valixhja në tokë në një stacion treni, Pushkash i vetmuar në pritje për një udhëtim sa të qetë, po aq enigmatik, që me sa duket do ta çojë drejt Vjenës. Ku e pret dënimi nga FIFA për dy vjet për të mos luajtur, të cilat ai do t’i kapërcejë me vullnetin e tij të pashoq, për t’iu rikthyer vrullshëm fushës së blertë, ndeshjeve, stadiumeve gjigantë, titujve të pafund me Realin e Madridit. Dhe për t’u rikurorëzuar si një gjigant në finalen mitike të Gllaskout 1960, në prani të plot 127.621 spektatorëve – sot e kësaj dite numri më i madh i pranishëm në një finale të Kupës së Europës – shifra që të mahnisin po aq sa ç’të mahnit vetë 7-3-shi kundër Frankfurtit gjerman i 4 golave të Ferenc Pushkashit.

Nëse rinia e sotme falë televizionit mahnitet prej Cristiano Ronaldos dhe Messi-t, brezi ynë asokohe i izoluar deri në skaj mahnitej prej Ferenc Pushkashit. Dhe mahnitej pa e parë asnjëherë duke luajtur. E merrte me mend se si ishte ai prej shkrimeve të pafund edhe të shtypit shqiptar apo atij sovjetik që mbërrinte në Tiranë sapo dhe vetëm prej dokumentarit për fitoren 6-3 në “Wembley” kundër Anglisë më 1953.

Duke iu kthyer kësaj foto në “France Football”, vërejmë ndërkaq se jemi në 90-vjetorin e lindjes së Ferenc Pushkashit (1927) dhe nga ana jonë shqiptare, jemi në 70-vjetorin e ndeshjes së parë të Hungarisë së Ferenc Pushkashit kundër Kombëtares së Shqipërisë (1947) për Kampionatin Ballkanik.

Është pra 70 vjet më parë, 20 gusht 1947, kur Shqipëria është ndeshur në Budapest me Hungarinë me të cilën ka humbur 0-3. Ka qenë një ndeshje që është zhvilluar vetëm tri ditë mbas ndeshjes Hungaria – Bullgaria, që t’i merrte mendtë me shifrat: 9-0. Ferenc Pushkashi nuk ka luajtur në këtë ndeshje dhe një Ferenc tjetër, Ferenc Deak, një i madh tjetër i futbollit hungarez, i ka shënuar 4 gola Sokolovit të Bullgarisë. Pesëdhjetë ditë para ndeshjes me Bullgarinë, Pushkashi kishte luajtur nën fanellën e Hungarisë së tij në Beograd dhe kishte nënshkruar dy prej tre golave të fitores 3-2 të Hungarisë, ndaj asaj Jugosllavie, e cila tetë muaj më parë kishte fituar në Tiranë 3-2 kundër Shqipërisë, por kishte qenë e detyruar t’u dorëzonte shqiptarëve titullin e Kampionit të Ballkanit. E, për çudi, ishte thuajse po ai 11-sh jugosllav i ndeshjes së Tiranës: Monsider, Brozovic, Horvat, Cajkovski, Atanackovic, Matosic, Bobek, Simonovski… Ajo ishte ndeshja e madhe e dy Ferencave, Ferenc Pushkashit dhe Ferenc Suzës, i cili më 1955 do të mbërrinte në Shqipëri me Dozhën e Budapestit. Ferenc Pushkashi nuk luan kundër Shqipërisë në ndeshjen e Budapestit më 20 gusht 1947 dhe pa të është thjesht një 3-0 dhe kaq, duke shënuar përsëri një prej tre golave hungarezë, po Ferenc Deak, i papërmbajtshëm, – i cili plotëson unitetin e tre Ferencave të mëdhenj të Hungarisë së asokohe: Deak-Suza-Pushkash. Mbeti rekordmen ndër më të mëdhenjtë e botës: 66 gola në Kampionatin e Hungarisë më 1946 – dyti në historinë botërore të shënimit midis kryeshënuesve për një Kampionat Kombëtar, ku, siç e kam konfirmuar me IFFHS-në, i bën shoqëri shqiptari ynë i madh i futbollit, Refik Resmja, 59 gola në Kampionatin e Shqipërisë më 1951, madje 1 gol mbi “madhërinë e tij” Pele!

2.

Kishin filluar vitet kur Shqipëria priste Ferenc Pushkashin. Ndërsa ai nuk do t’i afrohej, edhe pse rasti është ideal, kur Hungaria do t’i kthente vizitën Shqipërisë për Kampionatin Ballkanik dhe të Europës Qendrore. Mû këtu ndodh çudia e madhe. Hungaria ishte një gjendje të krijonte deri tri Kombëtare dhe ja tek sjell në Tiranë njërën prej tyre. Ka qenë 23 gusht 1948. Ditë e rastit më unik në gjithë historinë e Kombëtareve të të gjithë shteteve të botës: Hungaria brenda një dite të vetme luan dy ndeshje zyrtare në rang Kombëtareje: 2-1 Çekosllovakisë në Budapest dhe 0-0 me Shqipërinë në Tiranë. Në të njëjtën pasdite të 23 majit 1948! Sot e kësaj dite, këtë 0-0 e drejtuar nga trajneri që njihet si Prof. Adem Karapici i famshëm, ndeshje që na shndërroi në mëtues të Kampionatit në fjalë, ne e konsiderojmë një nga më të mëdhatë në historinë tonë, edhe pse në të vërtetë ai nuk qe 11-shi ideal i Hungarisë. Por emrat e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” ishin po të mëdhenj dhe shtatë prej tyre e kishin veshur edhe më parë fanellën e Hungarisë së parë: Toth, Kispeter, Konya, Zakariash, Illovszky, Szilagyi, Kesztheyi. Ndërkohë që veçon rasti i të tetit, Vladislav Kubalës, njeriu i vetëm në historinë e futbollit botëror që do të luajë me tri Kombëtare të ndryshme: 6 ndeshje me Çekosllovakinë, 3 ndeshje me Hungarinë dhe 19 ndeshje me Spanjën. Vetëm pak javë më parë kishte luajtur ndeshjen e fundit si pjesë i 11-shit të Kombëtares së Çekosllovakisë. Kështu, 0-0 i Tiranës vinte mbas fitores së bujshme 1-0 në Bukuresht të djemve të Karapicit dhe tashmâ Shqipëria kishte kulmin e saj, ndoshta i pambërritur ende deri më sot e kësaj dite nga pikëpamja historike. Ndeshja e Tiranës thuhet se luante para 40.000 shikuesve të ngjeshur njëri përmbi tjetrin, se ndryshe nuk mund të merret me mend, shifër që e japin po kaq të gjitha gazetat e Tiranës, ndërsa arkivi hungarez e jep 35.000. Në tribunë janë edhe udhëheqësi i vendit Enver Hoxha e Dr. Omer Nishani si dhe Koçi Xoxe në daljen e tij të fundit në një veprimtari publike, sepse mbas pak do të arrestohet dhe do të pushkatohet.

Trajneri hungarez guxon e thotë se brenda tri vjetëve Shqipëria do të jetë ndër konkurrueset më të mira në botë! Kjo nuk ishte dëgjuar asnjëherë dhe s’ka për t’u dëgjuar kurrë më mbas kësaj Shqipërie 1948 që pa dyshim e kishte tejkaluar Ballkaniadën 1946. Mbas barazimit me Hungarinë, Shqipëria kryesonte renditjen.

Nga ana historike, barazimi legjendar për ne është ky

SHQIPËRIA – HUNGARIA 0-0

23.05.1948. Tiranë. St. Kombëtar “Qemal Stafa”.

SHQIPËRIA: Poselli; Dibra, Spahiu; Llambi, Fagu, Vathi; Parapani (Z.Gjinali 74′), Kavaja, L.Boriçi, Biçaku, Mirashi. TRAJNER: Karapici.

HUNGARIA: Toth; Kovacs, Kispeter, Konya; Horvath, Zakarias; Illovszky, Kubala, Szilagyi, Keszthelyi, Pinter (Szabo 50′). TRAJNER: Gollowich Tibor (delegon në Tiranë trajnerin Kiraj)

GJYQTAR: Leo Lemesic (Jugosllavi).

SHIKUES: 40.000.

35 ditë më vonë, Karapici ka kulmin tjetër me skuadrën e tij: Beograd, Jugosllavia – Shqipëria 0-0. Ajo Jugosllavi, e cila një muaj e gjysmë më vonë do të fitojë medaljet e argjendta në Olimpiadën e Helsinkit me plot 8 lojtarë të 11-shit të 0-0 me Shqipërinë: Franjo Sostaric, Miroslav Brozovic, Miodrag Jovanovic, Zlatan Cajkovski, Rajko Mitic, Stjepan Bobek, Bernard Vukas, Prvslav Mihajlovic. Çka do të thotë tri ndeshje të mëdha me asnjë gol të pësuar.

Por Pushkashi do të vononte për Shqipërinë. Ose më mirë me thënë, do të luante vetëm 1 herë kundër Shqipërisë në një ngjarje që për të shënon fillimin e një epoke. Kurse për Shqipërinë rrënimin më tronditës që do të njihte historia për të.

Ngjarja daton më 24 shtator 1950. Ka qenë ndeshja e 275-të e radhës për Hungarinë, ndërsa e 19-ta për Shqipërinë, çka do të thotë se Hungaria kishte zhvilluar deri në këtë ditë 15 herë ndeshje më shumë se Shqipëria! Dhe 12-0 për Hungarinë e Ferenc Pushkashit!

Siç e kam treguar në “Libri i Kombëtares”, e gjitha kjo ka të bëjë me faktin se në periudhën 1949-’50, Shqipëria kishte arritur rezultate të jashtëzakonshme: Rumania – Shqipëria 1-1, Bullgaria – Shqipëria 0- 0, Shqipëria – Polonia 0-0, Shqipëria – Bullgaria 2-1. Ishte një cikël i çuditshëm që e bënte Shqipërinë e vogël, e cila kishte vetëm katër vjet që kishte dalë për herë të parë në fushën e lojës, të cilësohej si një nga më të fortat e skuadrave të vendeve socialiste, të një kampi të diktaturave komuniste, i cili me një rregullsi të pazakontë zhvillonte këto ndeshje miqësore si për të treguar unitetin e tij të të gjitha fushave.

Dhe kështu, krejt papritmas, Shqipërisë i vjen ftesa e madhe e një turneu që do të përshkohej në boshtin Pragë – Budapest – Bukuresht. Trajneri Bik Jakova e kishte skuadrën në një formë të shkëlqyeshme dhe tashmâ për Loro Boriçin po flitej si për një futbollist të përmasave të mëdha europiane. Nis kështu udhëtimi fatal i Kombëtares së kuqezinjve me të panjohurën e parë që i thoshin Prag, ku krejt papritmas, në ngushticën e Dardaneleve ngjet episodi i paprecedent i arratisjes së dy lojtarëve tejet të rëndësishëm, Bahri Kavaja e Muhamet (Bule) Vathi, të cilët kërkojnë lirinë e vërtetë. Dhe zgjedhin Turqinë, asokohe armike e përjetshme e Shqipërisë.

Më 17 shtator 1950, megjithatë, trajneri Jakova e nxjerr këtë Kombëtare të tronditur keqas në fushën e lojës të stadiumit të Pragës. Humbja është e pamënjanueshme: 3-0! Ndeshjen e shkatërrimit të madh fati e kishte përcaktuar të shfaqej mbas 7 ditëve, më 24 shtator 1950, në Hungaria – Shqipëria, ndeshja “tragjike” e Kombëtares që mbetet sot e kësaj dite humbja më e thellë e saj. Është 12-0! Për 53 minuta Qemal Vogli pëson 8 gola! 2 gola prej Pushkashit, 2 nga Budai, 2 nga Palotash, 2 nga Koçish! Është një bombardim i pamëshirshëm. Vetëm një moral i pazakontë, një forcë e brendshme e çuditshme bën që skuadra shqiptare të rezistojë 18 minuta. Ishte një rezistencë e rréjshme, megjithatë. Pushkashi shënon golin e parë dhe nga minuta 18 deri tek ajo e 53-të Qemal Vogli pëson plot 8 gola, çka do të thotë një gol në çdo 4 minuta, duke u vendosur kësisoj një tjetër rekord botëror i periudhës në ndeshje kombëtaresh! Në të 54′ trajneri Jakova ndërron më në fund Voglin me Maliqatin, i cili ka “nderin” të pësojë “vetëm” 4 gola, 2 nga Pushkash dhe 2 nga Budai. Dhe 12-0! Kryeprotagonisti quhet Ferenc Pushkash. Deri në këtë ditë, ai kishte luajtur 28 ndeshje me Hungarinë dhe kishte shënuar 38 gola – rekord botëror!

Dhe prej këtu drejt e te 5 tetori 1950 në Bukuresht dhe Rumania – Shqipëri 6-0, çka përbën epilogun e një drame, e cila i kishte zhvillimet e saj të paracaktuara në rrjedhën e ujërave të Dardaneleve. Kombëtarja nxiton ndërkaq të kthehet në Shqipëri dhe tashmâ të gjithë i pret gjyqi i madh i mosbesimit. Përjashtime, akuza për “moszbatimin e eksperiencës sovjetike”, “tradhti”, “punë armiqësore”. Dhe doemos përjashtime të pamëshirshme.

3.

Ferenc Pushkashi (Puskás), me dënimin e tij të pandalshëm futbollistik, kishte mbyllur në çast një histori që dukej të ishte e mrekullueshme për Kombëtaren e Shqipërisë së viteve ’40. Asnjë turne, asnjë lloj ndeshjeje, asnjë periudhë tjetër nuk do ta dënojë më mbas Kombëtaren e Shqipërisë sa kjo dramë e këtyre tri ndeshjeve të vitit 1950. Merre me mend, qysh nga ky 1950 e deri te 1963, në 13 vjet të tana Kombëtarja zhvillon vetëm 5 ndeshje!

Në njëfarë mënyre, historia me Hungarinë e Pushkashit drejtpërdrejt në fushën e blertë merr fund me këtë 12-0 të përtej historisë. Nuk është krejt kështu megjithatë. Ka një lidhje tjetër, një lidhje politike e “shpirtërore” bashkë, që rrjedh po prej politikës. E vërteta është se 12-0 e Hungarisë ndaj Shqipërisë bëri bujë në gjithë Europën. U tha se Hungaria e madhe e Ferenc Pushkashit, cikli i madh i Hungarisë legjendë të futbollit botëror, kishte lindur mû në këtë ndeshje kundër shqiptarëve, 24 shtator 1950, ndonëse qysh pak muaj më parë, më 4 qershor 1950, Hungaria kishte shkatërruar 5-2 në Varshavë edhe Poloninë. Kësisoj, mû prej kësaj vere 1950 do të vinin pandalë plot 32 ndeshje radhazi të pahumbura prej një Kombëtareje që përbën gjithashtu një rekord.

Datat e këtij cikli përshkohen në këtë hark kohor: 04.06.1950 – 04.07.1954. Çka do të thotë plot 4 vjet e 1 muaj pa humbur asnjë prej 32 ndeshjeve rresht ose 27 fitore dhe 5 barazime. Për Pushkashin, bilanci në këto 32 ndeshje është 29 ndeshje të luajtura dhe 37 gola të shënuar prej tij! I këtyre përmasave gjigande ka qenë ai që do të quhej thirrej “majori galopant”, vetëm 1.70 metra shtatlartë, por gati 75 kg e përtej kg peshë trupore!

Mbrenda këtij cikli janë tri ngjarje madhore: Hungaria – Kampione Olimpike më 1952, Hungaria – Nënkampione Botës më 1954 dhe pak më parë Hungaria e “Ndeshjes së shekullit” në “Wembley” më 1953, 6-3 Anglisë, humbja e parë e shpikësve të futbollit në tokën e tyre dhe në tempullin londinez të futbollit të tyre.

“Gjithçka ishte një vrapim midis kuajve për garë dhe kuajve për gjuajtje”, ka thënë Sër Tom Finney, një nga legjendarët e futbollit anglez, “sepse ajo ishte skuadra më e fortë, kundër së cilës nuk ishte luajtur ndonjëherë, një skuadër e jashtëzakonshme për t’u admiruar, me një qëndrim taktik për ne, krejt të panjohur”. Sër Bobby Robson, ish-trajner i Anglisë, ka thënë:

“Të shikoje Hungarinë teksa po e shndërronte në asgjë Anglinë, bëri tek unë një efekt të madh. Qysh atëherë kam filluar të interesohem gjithmonë e më shumë për drejtimin taktik”.

“Besoj se kur një lojtar i mirë e ka topin, duhet të ketë një shikim të lojës që t’i lejojë të paktën të zotërojë tri mundësi, – ka thënë mbrojtësi i djathtë Jenö Buzánszky, – por Pushkàsh zotëronte të paktën pesë”.

Kryeprotagonisti kishte kështu një emër të vetëm: Ferenc Pushkash. Të tjerët ishin protagonistë. Si në një lloj ushtrie me një gjeneral dhe me gjithë të tjerët oficerë të lartë. Asnjëri prej tyre nuk ishte ushtar…

Humbja në mbarim të ciklit prej 32 ndeshjesh është pra ajo e fundores (finales) fatale të Bernës e 4 korrikut 1954, 2-3 me RF Gjermane që vlente sa një titull botëror. Për t’u hakmarrë Ferenc Pushkashit do t’i duhen tre vite për të mbërritur te finalja me Realin kundër Eintrachtit po gjerman: 7-3-shi i famshëm, që i kalon të gjitha finalet e Kupës apo Ligës së Kampioneve.

Ai kishte lindur më 2 prill të vitit 1927 në Kispest, një qytezë në anët e Budapestit, që më pas u bë qendra e krijimit të “Hungarisë së Madhe” dhe jetonte në një apartament krejt afër stadiumit “Kispest FC”, skuadra me të cilën kishte luajtur dhe mandej ishte bërë trajner i saj babai i tij. Ky ishte njeriu për të cilin thuhet se e ka mësuar të godasë topin sapo Ferenci mësoi të ecte. Dhe përdorte vetëm këmbën e majtë e kështu prej kohësh ai u konsiderua si mbajtës i titullit të lojtarit më të madh të botës me vetëm një këmbë! Pushkash u bë kapiten i Kispestit më 1946, kur qe vetëm 19 vjeç dhe një vit më parë, saktësisht më 20 gusht 1945, ai luan ndeshjen e tij të parë me Kombëtaren, atë Hungaria – Austria 5-2, ku shënon dhe golin e tij të parë në Kombëtare. Ishte vetëm 18 vjeç!.

Kombëtaren e Hungarisë do ta merrte trajneri Gusztáv Sebes “artizani që luante kukullat në skenë”, siç e ka përcaktuar një specialist, ndërsa “Pushkash do të bëhej përfaqësuesi i tij në fushë”.

Dhe po aq sa roli i trajnerit, po aq qe dhe roli i kapitenit, i cili quhej Ferenc Pushkash.

“Funksionimi i trajnerit ndërpritet kur arbitri fishkëllen për goditjen e parë. Flitet për taktikë që jepet në garderobë, por që nga ky çast dhe mandej është skuadra ajo që vë në praktikë këshillat e trajnerit, mirë apo keq që të jetë”, ka thënë Buzánszky. Dhe duhet një kapiten si Pushkash, i cili është në gjendje të thotë: “OK, këto skema nuk funksionojnë, tani do të luajmë në këtë mënyrë”.

Ky ishte Ferenc Pushkash. I historisë legjendare hungareze. Ky ishte Pushkashi “fëmija”, i cili kishte hyrë qysh 15 vjeç me Kispest-n, e mandej burri i madh i futbollit, i Kispestit të shndërruar në Honved – skuadra ushtarake si Partizani i Shqipërisë – i cili mbërriti te 85 ndeshje të luajtura me Hungarinë dhe 84 gola të shënuar nën fanellën e saj; 154 gola në 179 ndeshje të kampionatit hungarez, pesë herë kampion i Hungarisë me Honvedin, katër herë golashënuesi më i mirë. Legjendën e tij e ka përcaktuar më mirë se askush thënia mitike e shokut të tij të skuadrës, Zoltan Cibor: “Pushkashi ishte i vetmi njeri që shënonte dy gola duke e goditur topin vetëm një herë!”.

4.

Biografinë e tij Ferenc Pushkashi do ta pasuronte me karrierën e tij fantastike në Perëndim, një histori që ai nuk e kishte parashikuar kurrsesi. “E ndihmon” për këtë kryengritja hungareze e tetorit 1956.

Në atë vit fatthënë 1956, Kispest-Honvéd FC dhe l’MTK Hungária FC, dy klubet më të rëndësishëm të Budapestit, kishin filluar një turne rreth Europës. Dhe ndërsa MTK kthehet në Budapest, Honvedi në kundërshtim me Ministrinë e Sporteve të Hungarisë pranon ftesat për të zhvilluar ndeshje të tjera në Brazil dhe në Europë, ndërsa Hungaria kishte marrë zjarr dhe Budapesti po përgjakej prej kryengritjes popullore.

Ndërkaq, Honvedi mbërrin në Gjermani dhe mbas ndeshjes Fortuna e Dyseldorfit – Honved 5-5, shtypi gjerman shkruan se Honvedi ka refuzuar të kthehet në Hungari. Por më 21 nëntor 1956, deri shtypi shqiptar shkruan:

“Me arratisjen e Pushkashit dhe të disa lojtarëve të Hungarisë legjendare për shkak të shpërthimit të revolucionit hungarez, edhe Shqipëria që ndërron pllakën dhe dashurinë për skuadrën hungareze e kthen në urrejtje. Nuk di nëse ndër vendet e demokracive popullore të atëhershme të jetë vjellë vrer aq fort kundër Ferenc Pushkash-it e shokëve të tij sa në shtypin shqiptar që vetëm pak muaj më vonë, është i pamëshirshëm ndaj ‘majorit galopant'”.

“… Kanë dalë ta presin nëpunës së zyrës së refugjatëve. Pushkashi i ngjet më shumë një sipërmarrësi barkmadh, sesa një lojtari të stërvitur”, duke nisur kështu edhe shtypi shqiptar fushatën denigruese ndaj tij, duke e mallkuar qysh prej tradhtarit e deri te kontrabandisti. Kampi komunist ishte monolit në gjithë këtë denigrim.

Ndërkaq, për Ferenc Pushkashin, Lindja tashmâ kishte mbetur mbrapa, atje në Budapestin e tij të shtrenjtë. Papritmas njoftohet se Ferenc Pushkash shkon në Real Madrid, ndërsa Sandor Kocsis e Zoltán Czibor në Barcelona. Nis epoka e dytë e tij që quhet Real i Madridit, rapsodia tjetër jo hungareze, por spanjolle e mrekullisë së Ferenc Pushkashit, tash për krah Di Stefanos, Amansios dhe Hentos. Përfundimi: 372 ndeshje dhe 324 gola me Realin e Madridit, 6 kampionate të Spanjës të fituar. Në tanësi Hungari dhe Spanjë bashkë 511 gola në 533 ndeshje kampionale, duke mbetur në këtë tregues sot e kësaj dite në treshen e botës.

Dhe tri Kupa të Kampioneve të fituara më 1959, 1960, 1966. Mbrenda të cilave është pra dhe fundorja e famshme 7-3 e 18 majit 1960 kundër Eintrachtit të Frankfurtit në “Hamden Park” të Gllaskout para rekordit të 127.621 shikuesve të pranishëm. Është cilësuar fundorja më e mirë e mbi gjashtëdhjetë vjetëve të Kupës mitike të Europës dhe 4 gola që mbajnë firmën e Ferenc Pushkashit, çka nuk ndodh më prej askujt dhe kurrnjiherë në një fundore të asaj që sot quhet Liga e Kampioneve të Europës. Dhe me dy protagonistë: Alfredo Di Stefano me tre gola, por mbi të gjithë Ferenc Pushkash – autor i 4 golave – rekord ende i pathyer sot e kësaj dite për një finale të Kupës së Europës. Kaskada e golave të tij ka këtë rrjedhë marramendëse: Pushkash gol në të 45′, Pushkash gol me 11-metërsh në të 56′, Pushkash gol në të 60′, Pushkash gol në të 71’! Tre golat e fundit mbrenda vetëm 15 minutave! Është përtej legjendës!

Ai qe dy herë kryeshënuesi i Kupës së Kampioneve (12 gola më 1959-’60 dhe 7 gola më 1963-’64,) dhe 41 ndeshje dhe 35 gola në tanësi në këtë garë madhështore. Në fundoren e Kupës së Kampioneve më 1964 ai ishte 37 vjeç e 55 ditë, – rekord moshe për një finalist të asaj që sot pra quhet Liga e Kampioneve të Europës. Në ndeshjen e tij të fundit për Kupën në fjalë, ajo Kilmarnock – Real 2-2 e 17 nëntorit 1965 që për çudi u pa në televizionet e pakta të Tiranës, ai ishte afër 39 vjeç dhe na mahniti me shpejtësinë e vrapimit të tij. Ishte po ai Kilmarnock, i cili vetëm pak ditë më parë, në turin paraeliminator kishte eliminuar Kampionen e Shqipërisë, 17 Nëntorin e Tiranës (1-0 / 0-0). A mund ta merrni me mend se çka do të kishte ngjarë sikur skuadra e Tiranës të kishte eliminuar Kilmarnock-un dhe shorti të kishte krijuar çiftimin 17 Nëntori – Real i Madridit, çka mandej pa asnjë dyshim do të mund të sillte gjestin megaloman të qeverisë së Tiranës për të penguar ardhjen në Tiranë të Ferenc Pushkashit tradhtar po dhe të Realit frankist të Madridit?…

Ferenc Pushkash i vari këpucët e fushës së blertë më 1966. Ishte 40 vjeç. Ky lojtar fantastik qe ndërkaq edhe “një njeri i mrekullueshëm”, siç e ka cilësuar Tom Finney. Siç thotë shoku i tij i skuadrës, Buzansky, “kur flasim për Pushkashin, duhet të ngrihemi në këmbë”.

Ferenc Pushkash qe trajner në 4 ndeshje me Hungarinë e viteve ’90, luajti katër herë si lojtar i Spanjës, deri në Kupën e Botës 1962. Si trajner e çoi Panathinaikosin e Athinës deri në fundoren e Kupës së Kampioneve të Europës 1971, kundër Ajax të Amsterdamit. Ishte trajner në Spanjë, Kili, Kanada, Arabi Saudite, SHBA, Paraguai, Australi, si dhe në Egjipt me Al Masry në Port Said i marrë nga presidenti i këtij klubi, një njeri emri i të cilit është as më pak e as më shumë, por El Sayed Metwally Abdelrrahman dhe i cili do të bëhej president i Sportklub Tiranës së Shqipërisë në vitet 2000 të shekullit XXI. Ndërkaq, “Nepstadion” i famshëm i Budapestit mori emrin “Ferenc Pushkash” në të gjallë të tij, rast ndër të rrallët e futbollit botëror. Pushkash mban Urdhrin Olimpik të CIO-s dhe më 1960 ishte i dyti i “Topit të Artë” të France Football. Qe 56 herë kapiten i Hungarisë më të madhe, skuadra që ndërroi rrjedhën e futbollit botëror në Shekullit XX.

Ferenc Pushkash u lejua të kthehej në Atdheun e tij vetëm mbas 25 vjetëve, më 1981, për një ndeshje përkujtimore veteranësh dhe kërkesa për bileta ishte pesë herë më shumë se kapaciteti i “Nepstadion”- it që do të merrte mbas dhjetë vjetëve emrin e tij. Gazetat e Hungarisë, ende komuniste, u urdhëruan që të mos i bënin asnjë publicitet kësaj ndeshjeje. Ai u largua menjëherë për të ardhur përfundimisht vetëm më 1990 mbas rënies së Murit të Berlinit edhe për Budapestin, qytetar i madh i të cilit ai nuk kishte qenë qysh nga përgjakja e vitit 1956, plot 35 vjet më në thellësi të shekullit XX, kur e sulmonte pa mëshirë edhe shtypi i Shqipërisë së Enver Hoxhës, mbasi për deri asokohe e kishte ngritur në qiell!

“Edhe si lojtar, edhe si njeri ishte i numrit 10”, tha Alfredo Di Stefano atë ditë që shoku i tij i viteve të mahnitshme të futbollit u nda nga jeta. Ndërsa kryeministri i Hungarisë, Ferenc Gyurcsany, tha: “Hungarezi më i madh i shekullit XX na la. Ferenc Pushkash u largua, por legjenda Pushkash do të mbesë përgjithmonë e pranishme”.

Për veten ai la mbrapa këtë thënie që nuk është dëgjuar prej asnjë futbollisti të historisë së futbollit: “Jam i qetë vetëm kur kam një top ndër këmbë”.

“Kishte patur edhe një lidhje me Shqipërinë e vitit 1950”, kështu pata shkruar një herë në njërin prej shkrimeve jo të paktë që unë, një shqiptar modest, i kam kushtuar Ferenc Pushkashit, ndonëse asnjëherë nuk e kam pa drejtpërdrejt duke luajtur. Mirëpo ndodhka që legjendat kthehen në realitet edhe pa i “përjetuar” drejtpërdrejt…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"