“Energjia e Duros do na ndihmojë”, kryebashkiakja Sefa: Nisim një cikël të ri te Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 23:42

“Energjia e Duros do na ndihmojë”, kryebashkiakja Sefa: Nisim një cikël të ri te Lushnja

Eriselda Sefa i ka idetë të qarta për Lushnjën. Pak minuta pasi arriti akordin me Klodian Duron, kryebashkiakja foli për “Panorama Sport”.

14930679569723140031

Konfirmoi zgjedhjen e bërë për stolin, duke paralajmëruar se për futbollin verdhejeshil nis një cikël i ri. Gjatë intervistës së dhënë, e para e bashkisë shpalli edhe objektivat. Qartazi do të kërkohet ngjitja dhe presidentja beson se energjia e trajnerit të ri do t’i çojë drejt suksesit.

Klodian Duro është trajneri i ri i Lushnjës. Pse pikërisht ai?

Konfirmoj se kemi arritur akordin me ish-futbollistin e Kombëtares sonë. Klodian Duro do të jetë trajneri i ri i Lushnjës, i skuadrës sonë të zemrës. Duam të hapim një cikël të ri te Lushnja me besimin e plotë se tekniku do t’i japë ekipit të gjithë eksperiencën dhe energjinë e tij.

Cili është objektivi që i keni vendosur për sezonin 2022- 2023?

Do të futemi në sezonin e ri me objektiva të mëdhenj, për të qenë pretendentë, për t’u rikthyer aty ku ne e meritojmë. Aty ku tifozët tanë fantastikë e duan Lushnjën, në Superiore. Ndaj, do ta mbështesim trajnerin për kërkesat në merkato.

Kontrata me trajnerin do të jetë 1-vjeçare apo…?

Përtej objektivit afatshkurtër, mbi bazën e të cilit është gjetur dakordësia me trajnerin Duro, synimi ynë madhor është ristrukturimi i të gjithë klubit, për të ndërtuar një bazë të shëndoshë për të ardhmen. Nga moshat deri tek ekipi i parë. Ndaj, duke pasur këta objektiva, shpresojmë që bashkëpunimi me teknikun Duro të shkojë përtej marrëveshjes kontraktuale.

A keni ndonjë mesazh për ish-trajnerin Agim Canaj?

E falënderoj teknikun Agim canaj për profesionalizmin dhe kontributin e tij te Lushnja, për sezonin që lamë pas, duke i uruar çdo të mirë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"