Ëndrrat, admirimi për Nejmarin dhe fintet “nervozuese”. Djali i një postieri po mahnit Interin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 14:47

Ëndrrat, admirimi për Nejmarin dhe fintet “nervozuese”. Djali i një postieri po mahnit Interin

Tek Interi kanë “uri” për talent, paparashikueshmëri dhe kryelartësi. Janë kohë të vështira krahasuar me një të kaluar ndoshta jo gjithmonë në elitë, por me siguri plot me dritë e art futbollistik. Gjeneratat e ndryshme të interistëve kanë kaluar nga Suarez, Korso, Bekalosi, Mateus, Berkamp, Ronaldo, Rekoba, Baxhio, Ibra, Eto e shumë të tjerë.

Karamoh

Mjaftonin edhe disa “magji” të Kasanos për të ëndërruar në një stadium, të cilit sot po i duhet të “vetëkënaqet” me një skuadër solide, të organizuar, fizike, e me raste monotone e të kuptueshme në fazën ofensive. Ja përse mbrëmjen e së martës, në “San Siro”, të gjithë u ngritën në këmbë për të duartrokitur Jan Karamoh: një “shigjetë e çmendur”, frymë e re, energji e pastër, shkëndija e nevojshme për sprintin final drejt Ligës së Kampionëve.

Po, disa raste-gol francezi i shpërdoroi vërtet. Ndaj ato duartrokitje duken si një mesazh për trajnerin Luçiano Spaleti: tifozët, pavarësisht duan ta shikojnë në fushë djaloshin; kërkojnë së paku një lojtar “ndryshe”. Përfshi fintet me takë. “I tepruar ai në pjesën e parë kundër Kaljarit? Është mënyra ime e të luajturit, – tha Karamoh.

Karamoh

– Më pëlqen. Futbolli është i ndërtuar edhe mbi këto”. Spaleti e qortoi (“Nuk duhet t’i përsërisë më ato veprime nëse dëshiron të bëhet një kampion”) dhe në fushë braziliani Kastan atë finte e priti keq… Por, publiku u entuziazmua (brohoritje në momentin e xhonglimit), fundja në stadium shkohet për t’u argëtuar, por rezultati ishte 0-0 dhe ndeshja në atë pikë ishte ende e hapur.

IDHULLI “O’NEY” – Është ambicioz, Jan: i është dashur pak kohë për t’u ambientuar në “Appiano Gentile”, punon fort gjatë javës dhe bën një jetë larg reflektorëve. Ndonjë ves? Është një gjumash i madh dhe i dedikon një kohë të madhe modës: gjithmonë i veshur me marka në trend gjatë daljeve të mondane. Prindërit e takojnë shpesh në Milano, në zonën e “San Siro”-s, ku Karamoh ka gjetur shtëpinë e duhur dhe mund të ëndërrojë “pushtimin” (një ditë) e Milanos.

Karamoh4

Babai, mes të tjerash, punon ende në Postën franceze. Jan është i fejuar, por miqtë i qëndrojnë ende pranë dhe shpeshherë zaptojnë një kënd të tribunës. “Idhulli im? Nejmar mbi të gjithë, më pas Kristiano Ronaldo. Por jam me origjinë nga Bregu i Fildishtë: Drogba mbetet një pikë referimi”. Ja ku shpjegohen, pra, fintet me takë…

“NJË DITË…” – Ka vuajtur shumë në muajt e parë: “Këtu punohet vërtet shumë, si fizikisht po ashtu edhe nga ana taktike”, rrëfente Karamoh, i transferuar në futbollin italian në limitet e merkatos, në fund të gushtit, i kërkuar me ngulm nga drejtori sportiv, Piero Auzilio, e nga koordinatori teknik i “Suning”, Valter Sabatini. Ka dhënë megjithatë maksimumin, nuk ka hequr kurrë dorë nga stërvitjet në “Pinetina”, ku ka marrë qortime e këshilla me shumicë: nga Spaleti mbi të gjithë, por edhe nga shokët e skuadrës më ekspertë. Dhe mësimet taktike nuk kanë mbaruar ende, ka ende shumë për t’u mësuar:

Karamoh5

“Është një lojtar i fortë, – u shpreh tekniku Spaleti në përfundim të ndeshjes së fituar 4-0 ndaj Kaljarit, ku francezi luajti për një pjesë të madhe të 90′ përpara se të zëvendësohej nga Kandreva.

– Për nga pikëpamja e mentalitetit të befason, të bën për vete. Ndërsa për sa i përket pikëpamjes së ekuilibrit dhe të arsyetimit, e shoh të vështirë bashkëpunimin me pjesën tjetër të skuadrës. Është një lojtar që duhet ndërgjegjësuar, i duhet të rritet edhe në veprimet përballë portës. Megjithatë, ka një marzh të gjerë rritjeje”.

Karamoh3

Jan ndërkohë ka shënuar një gol në dy paraqitje me kombëtaren U-21 të Francës, e ka grumbulluar në total 11 paraqitje në Serinë A. Vendimtar dhe spektakolar e majta nga jashtë zone që vendosi sfidën ndaj Bolonjës (2- 1, më 11 shkurt). “Kam një objektiv të qartë në kokë: dua të pushtoj ‘San Siro’-n”.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"