Ëndrra për titull, Tirana paguan 70 mijë euro rroga në muaj. Zbuloni kush është më i paguari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 20:51

Ëndrra për titull, Tirana paguan 70 mijë euro rroga në muaj. Zbuloni kush është më i paguari

Bardheblutë janë një nga skuadrat që kanë buxhetin më të madh të ekipeve që paguajnë lojtarët. Mësohet se më shumë se 70 mijë euro në muaj rroga për 25 futbollistët dhe stafin që ka punësuar këtë sezon.

tiranaaa 

Në këtë shumë të deklaruar llogariten vetëm rrogat bruto që kanë lojtarët bardheblu, të cilët këtë sezon janë nga ata që nuk paguhen pak. Duke përfshirë stafin teknik dhe administrativ, Refik Halili paguan 10 mijë euro për trajnerët dhe gjithë punonjësit e skuadrës. Pjesa tjetër e parave shpenzohet për lojtarët e skuadrës, të cilët paguhen mesatarisht 3 mijë euro në muaj.

PAGAT – Janë disa fasha për pagat e lojtarëve. Ata që paguhen shumë ku në krye është Majkël Ngo, rroga e të cilit shkon rreth 8 mijë euro nëse kap edhe bonuset e golave. Pas tij vijnë Torasa, Kale, Batha, Hasani, Karabeci, Osmani, Hoxhallari, rroga e të cilëve varion nga 3 deri në 5 mijë euro. Është një fashë lojtarësh, të cilët marrin nga 1 deri në tre mijë euro dhe këtu futen të rinjtë dhe disa nga lojtarët e stolit. Zakonisht te bardheblutë rroga është 3 milionë lekë të vjetër.

ngooo

KONTRATAT – Shumica e kontratave te Tirana është me kusht. Një lojtar e merr rrogën e plotë nëse arrin të zhvillojë në një muaj të gjitha ndeshjet që janë në program. Po kështu, në kontratë është saktësuar se nëse Tirana nuk fiton trofe apo nuk kualifikohet në Kupat e Europës, lojtarëve nuk u jepen rrogat e prillit dhe majit. Ky është një kusht i vendosur gjithmonë nga presidenti Refik Halili.

Ka edhe kushte të tjera në favor të lojtarëve, që nëse fitojnë titullin, marrin një bonus për arritjen futbollistike. Kujtojmë se Tirana është në podium si një nga skuadrat më të shtrenjta shqiptare të Kategorisë Superiore. Bardheblutë vlerësohen 4.2 milionë euro, shumë larg Partizanit që vlen 6.78 milionë euro dhe Kukësit 4.85 milionë. Skuadra bardheblu, vetëm këtë verë largoi nga ekipi 10 futbollistë.

Me një llogari të thjeshtë, nëse ata do të ishin në ekip, vlera do të rritej edhe 1 milionë euro, duke qenë mes dy ekipeve më të mira në Shqipëri. Gjithsesi, bardheblutë kanë afruar të paktën tetë futbollistë të mirë nga kampionati shqiptar dhe shpresojnë që të bëjnë diçka të madhe këtë sezon në Kategorinë Superiore. Tirana vjet u rendit e shtata dhe doli në finalen e Kupës së Shqipërisë.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"