Endrit Hysenagolli: Titullin e humbëm prej lodhjes, tani jam në bisedime me 2 klube

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2019 | 21:56

Endrit Hysenagolli: Titullin e humbëm prej lodhjes, tani jam në bisedime me 2 klube

Endrit Hysenagolli ishte ndër lojtarët më të mirë të sezonit basketbollistik 2018-2019, ku arriti të fitojë dy trofe me skuadrën e Teutës (Kupën dhe Superkupën), si dhe u shpall nënkampion i Shqipërisë me këtë klub.

Hysenagolli

Shtatlarti kryeqytetas la gjurmë gjithashtu edhe në rrugëtimin fantastik që bregdetarët patën në Ligën ballkanike, ku mbërritën deri në finale. Ai madje u shpall edhe qendra më e mirë e këtij kompeticioni si dhe e kampionatit tonë kombëtar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 30-vjeçari, i cili aktualisht po shijon pushimet, rrëfen sezonin që zhvilloi në radhët e Teutës. Hysenagolli, i cili tashmë është një lojtar i lirë, flet gjithashtu për merkaton si dhe klubin e tij të vjetër, Tiranën.

Hysenagolli, si po e kaloni periudhën e postkampionatit?

Pas një sezoni shumë të lodhshëm, ku ne kemi zhvilluar thuajse dy kampionate bashkë nëse i referohemi numrit të lartë të ndeshjeve, tashmë ndodhem prej tri javësh në një periudhë pushimi dhe besoj se nga fillimi i muajit korrik do të filloj me stërvitjen.

endrit hysenagolli

Si do ta vlerësonit eksperiencën tuaj në radhët e Teutës?

Mendoj se ka qenë një vit i mirë, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë ekipor, sepse arritëm të dilnim në finale të Ligës ballkanike që është një sukses i madh për basketbollin shqiptar. Gjithashtu arritëm të fitojmë Kupën e Shqipërisë, Superkupën si dhe dolëm në finale të kampionatit duke shkuar deri në sfidën e pestë. Pra, ishte një vit i suksesshëm për skuadrën tonë, ndërkohë që ishte një sezon mjaft i mirë edhe për mua personalisht, pasi u shpalla qendra më e mirë në Ligën ballkanike ashtu edhe në kampionatin shqiptar. Kështu që pavarësisht se nuk arritëm ta fitojmë kampionatin, mund të them se ishte një vit i suksesshëm për ne pasi morëm dy trofe.

Çfarë i mungoi skuadrës në finale?

Në katër ndeshjet e para, mendoj se luajtëm mjaft mirë sidomos në mbrojtje, ndërsa në takimin e pestë na mungoi ajo grinta që kishim shfaqur në takimet paraardhëse. Kjo jo sepse ne nuk deshëm të luanim, por mendoj se ndikoi sezoni rraskapitës, ku lodhja kishte arritur në maksimum dhe nuk ia dolëm t’i shprehnim cilësitë tona më të mira siç kishim bërë më parë gjatë gjithë sezonit. Një plus i madh për Goga Basket, ashtu siç e kanë thënë edhe shumë specialistë, ishte se ata ishin më të çlodhur se ne, ku ata me zor i prisnin ndeshjet pasi luanin vetëm një herë në javë, ndërsa ne kishim zhvilluar më shumë se 50 ndeshje që prej vitesh nuk ndodhte me një ekip shqiptar. Kështu që ne kemi zhvilluar dyfishin e takimeve të Gogës dhe rrjedhimisht përgatitja fizike bëri diferencën në finale.

endrit hysenagolliii

Tashmë jemi në periudhën e merkatos. A keni pasur oferta?

Kam pasur bisedime me Vllazninë, e cila më ka kontaktuar, por të them të drejtën, nuk është se kemi diskutuar për shumë detaje. Jam në kontakt edhe me skuadrën e Teutës, ku gjithçka mbetet e hapur. Gjithashtu kam pasur oferta edhe nga Kosova nga disa ekipe, por dua që ta mbyll edhe këtë muaj me pushime e më pas të vendos se cila do të jetë skuadra ku do të luaj në sezonin e ri.

Tirana, klubi ku ju keni luajtur për shumë vite duket se vijon të jetë në udhëkryq. A keni pasur kontakte me ta?

Nuk e di se çfarë po ndodh me Tiranën, ku gjendja vazhdon të jetë ashtu siç ka qenë vjet. Nuk shikoj ndonjë lëvizje, këtu nuk flas personalisht që të më kontaktojnë mua, por më vjen keq pasi është një ekip që ka qenë gjithmonë në nivele të larta që luante për të dalë kampion dhe nuk i shkon për shtat kjo gjendje.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"