“Ëndërrojmë ngjitjen, fitojmë dhe kapim finalen e madhe”, 22 vite larg elitës, trajneri i Burrelit: E mundim Tomorin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2021 | 12:08

“Ëndërrojmë ngjitjen, fitojmë dhe kapim finalen e madhe”, 22 vite larg elitës, trajneri i Burrelit: E mundim Tomorin!

Burreli kërkon të rikthehet në elitë pas 22 vitesh mungesë. Që t’ia dalë, duhet të kalojë edhe dy ndeshje. E megjithatë, rruga nuk do të jetë e lehtë. Për të pasur ende shpresa, fillimisht duhet të mposhtin pengesën me emrin “Tomori”. Dhe pikërisht sot në orën 16:00 do të zbresin në “Elbasan Arena” për të matur forcat me beratasit dhe dëshmuar se janë ata e dyta më e mirë e Kategorisë së Parë. Presioni në kampin matjan është prezent, megjithatë Renato Hoti beson te kualifikimi. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri evidenton se skuadra është më shumë se e karikuar para kësaj finaleje dhe do të bëjë çmos që të shmangë edhe penalltitë.

Nikaj dhe Renato Hoti

“Jemi gati. Përgatitjet gjatë kësaj periudhe kanë qenë intensive. Grupi është më i mobilizuar se kurrë për ta kaluar këtë sfidë. Me rikthimin e Hasës e Dodës, skuadra është edhe më e fuqishme. Që të mbetemi ende në garë për elitën, duhet të kalojmë njëherë Tomorin dhe më pas të mendojmë për përballjen me të 8-ën e Kategorinë Superiore. Kjo ndeshje që luhet nesër (sot) ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe jo vetëm për mua, por për gjithë skuadrën, drejtuesit e klubit, të Bashkisë Mat dhe gjithë tifozërinë.

Kemi 22 vite që presim dhe pas 13 vitesh e gjejmë veten në një ‘play off’ të këtij lloji. Jam i bindur se këtë herë do të pasohet me një finale e madhe. Të them të drejtën, Tomorin nuk e njohim aq shumë. Nuk kemi pasur përballje direkt në këtë sezon dhe kjo e bën pak të vështirë. Megjithatë, e kemi studiuar mjaft mirë dhe kemi zbuluar disa pikat të forta dhe të dobëta të tyre. Këto ndeshje për mua kanë qenë një përgjegjësi e madhe dhe mendoj se ia kemi dalë Flas në shumës, pasi kontributi është

i të gjithëve. Ne nuk kemi menduar asgjë për takimin pasues. Nëse nuk fitojmë me Tomorin, asgjë nuk do të kishte vlerë, ndaj i kemi bërë mirë llogaritë. Motoja jonë që nga fillimi i kampionatit ka qenë që t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe këtë do të bëjmë deri në fund.

Stërvitja jonë ka qenë e gjithanshme, duke përfshirë edhe penalltitë. Megjithatë, unë mendoj se do ta zgjidhim brenda minutave të lojës së rregullt”, tha tekniku matjani, që ka marrë “timonin” e ekipit pas largimit të Samuel Nikajt.

DRITAN KURTI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"