Emri i Panuçit jep efektet e para, Spanja dhe Çelsi “prezantojnë” trajnerin e ri të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2017 | 15:54

Emri i Panuçit jep efektet e para, Spanja dhe Çelsi “prezantojnë” trajnerin e ri të Shqipërisë

Zgjedhja e një trajneri me emër të njohur në arenën ndërkombëtare do të sjellë përfitime për imazhin e Shqipërisë pasi mediat e huaja do të jenë më të interesuara në lidhje me ecurinë e kombëtares kuqezi.

panuci duka

Në këtë mënyrë, emërimi i Kristian Panuçit në krye të stolit të përfaqësueses shqiptare si pasues i De Biazi ka filluar t’i japë menjëherë efektet. Ish-futbollisti i skuadrave të mëdha si Real Madrid, Milan, Roma, Inter apo Çelsi ka lënë gjurmë në karrierën e tij si futbollist dhe aventurat e tij si trajner përbëjnë një interes për opinionin sportiv.

spanja panuci

Postimi i Federatës Spanjolle

Federata Spanjolle e Futbollit e ka publikuar emërimin e Kristian Panuçit në krye të Shqipërisë me anë të një njoftimi në faqen zyrtare në internet. Spanjollët kujtojnë 4 ndeshjet e Panuçit me fanellën e kombëtares italiane përballë tyre, duke përmendur se hera e fundit që janë ndeshur me të ka qenë në EURO 2008.

Tashmë Panuçin e pret një tjetër sfidë ndaj kombëtares së Spanjës pasi më 6 tetor do të drejtojë Shqipërinë në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës, e vlefshme për Grupin G, takim që do të luhet në stadiumin “Hoze Riko Perez” në Alikante.

celsi panuci

Postimi i Çelsit

Edhe faqja zyrtare e Çelsit i ka kushtuar vëmendje emërimit të Panuçit në krye të Shqipërisë. Ish-mbrojtësi italian ka qenë pjesë e skuadrës londineze në sezonin 2000-2001 i huazuar nga Interi, por eksperienca e tij në Premier Ligë shkoi keq pasi u aktivizua në vetëm 8 ndeshje. Sipas njoftimit të bërë nga Çelsi, tashmë do të jenë 3 ish-lojtarë të bluve që drejtojnë skuadra kombëtare me synimin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës “Rusi 2018”, Deshamp me Francën, Shevçenko me Ukrainën dhe Panuçi me Shqipërinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"