“Emocion i papërshkrueshëm, më ka lënë një javë pa gjumë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2015 | 19:07

“Emocion i papërshkrueshëm, më ka lënë një javë pa gjumë”

bushiAlban Bushi është një nga ish-lojtarët më me emër të Kombëtares. Dje, ai nuk ka qenë me fanellën e një lojtari, por për herë të parë ka provuar emocionet e trajnerit. Bushi ka drejtuar Kombëtaren U-16.

Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Bushi shfaqet shumë i lumtur kur thekson se është përgjegjësi dhe emocion i veçantë të ulesh në atë stol. Ndërsa pohon se ka një javë që nuk fle gjumë, prej kësaj përgjegjësie, Bushi analizon edhe ndeshjen dhe rëndësinë e turneut.

“Si hera e parë në karrierën time që drejtoj një ekip, për mua është nder, kënaqësi dhe lumturi që m’u besua ky ekip. Por, t’ju them të drejtën, pavarësisht se është thjesht një miqësore, kam një javë që nuk fle gjumë. Për mua ishte hera e parë, por kur ke në shpatulla ekipin kombëtar, është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Nga ana tjetër, përveçse stres, është një emocion shumë i bukur, i cili përforcohet edhe më shumë kur ke të bësh me Kombëtaren”, është shprehur fillimisht Bushi. Sipas menaxherit të ekipit kombëtar që ka qenë në pankinën e U-17, ka qenë një ndeshje e mirë, në të cilën nuk ka pasur rëndësi rezultati.

“Të gjithë dhanë maksimumin, duke bërë më të mirën e tyre. Zbatuan me përpikëri udhëzimet që u kisha dhënë, për çka dua t’i përgëzoj. Ne kemi rreth 5 ditë që jemi grumbulluar dhe pak jemi stërvitur, pasi fillimisht më duhej të njihja më në detaje secilin lojtar të ftuar. Gjithsesi, ndeshjen e interpretuam mirë dhe merituam fitoren”, ka qenë shpjegimi i Bushit në rolin e trajnerit. Në fund, ish-bomberi i Kombëtares ka thënë: “Gjithmonë turne të ngjashëm si ky, shërbejnë për konsolidimin e një grupi lojtarësh. Rezultatet nuk janë shumë të rëndësishme në ndeshje si kjo dhe këtë ua thash edhe lojtarëve para se të hynin në fushë”, tha Bushi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"