Emini: Kam kontakte me Shkëndijën e Tetovës, në Shqipëri pres ofertën e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 22:03

Emini: Kam kontakte me Shkëndijën e Tetovës, në Shqipëri pres ofertën e Kukësit

Izair Emini ishte lojtari më i mirë në fushë për të dyja skuadrat në ndeshjen e së mërkurës në “Elbasan Arena”. Sulmuesi i Kukësit shënoi golin e parë dhe më pas shërbeu te Pejiç për dyfishimin e rezultatit. Nga dje, tetovari mund të quhet lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me Kukësin përfundoi.

emini

31-vjeçari mësohet se ka marrë dy oferta konkrete, pikërisht nga Shkëndija e Tetovës dhe Flamurtari. Mirëpo, në një intervistë për “Panorama Sport”, Emini sqaroi se fillimisht ai do të takohet me presidentin e Kukësit, Safet Gjici, e më pas do të vendosë për të ardhmen. Sulmuesi foli edhe për eliminimin dramatik, teksa sipas tij Kukësi e meritonte të ishte në turin e tretë.

Izair, keni zhvilluar një superndeshje ndaj Sherifit, por as ajo nuk mjaftoi për t’u kualifikuar…?

Po, është e vërtetë që kemi bërë super ndeshje. Të gjithë dhamë shpirtin në fushë dhe dominuam kundërshtarin në çdo aspekt, por ndonjëherë në futboll nuk mjafton e gjithë kjo, nëse nuk e ke edhe fatin me vete. Gjithsesi, mund ta quaj një eliminim me kokën lart.

Mund ta quajmë këtë si ndeshjen më të mirë tuajën te Kukësi në këtë 1 vit e gjysmë?

Kjo ishte ndeshja ime më e mirë që kur kam ardhur te Kukësi. Ka pasur edhe të tjera ndeshje të mira, por kjo paraqitje në Champions, për mua personalisht, ishte si qershia mbi tortë. Në çdo takim ku kam luajtur jam munduar të bëj maksimumin, pasi këtë gjë e kam detyrim, por kuptohet që nuk është njësoj një ndeshje kampionati dhe Championsi.

Kaluat dy herë në avantazh, pse Kukësi nuk arriti ta mbante dot rezultatin?

Mendoj së bëmë një pjesë të parë fantastike në çdo aspekt. Arritëm të kemi edhe rezultatin në favorin tonë, por e pësuam për një shpërqendrim të vogël dhe nuk arritëm të bëhemi dinak apo cinik, pra, ta menaxhonim situatën siç duhet. Normalisht, në Champions ndëshkohesh për atë që nuk bën siç duhet, ndaj është kompeticioni më i fortë në botë.

Ju erdhi keq për penalltinë e humbur të kolegut tuaj, Pejiç?

Më erdhi shumë keq, së pari që nuk kaluam në avantazh 3-1, sepse ai gol kishte vlerën e kalimit në turin tjetër. Gjithashtu, më erdhi shumë keq për shokun tim, Pero Pejiç, që nuk arriti të shënojë atë gol. Çdokujt mund t’i ndodhë që të humbasë penalltinë, i kanë ndodhur edhe lojtarëve më të mëdhenj në botë si Maradona, Mesi e Ronaldo.

Kontrata me Kukësin përfundoi. Tani çfarë do të bëni?

Është e vërtetë që kontrata me Kukësin më ka skaduar dhe mendoj se brenda javës do merret vesh si dhe ku do të jetë e ardhmja ime. Pra, do qëndroj apo do të largohem nga Kukësi.

Keni biseduar me presidentin Gjici për të ardhmen?

Kam kontaktuar dhe kemi lënë një takim me presidentin. Pas atij takimi do të vendoset gjithçka.

Është folur shumë për një dakordësi tuajën me Shkëndijën e Tetovës, si është e vërteta?

Po, kam pasur kontakte me Shkëndijën, por po pres çfarë do më ofrojnë ata. Më duhet t’i dëgjoj një herë, e më pas të vendos.

Cilat klube të Superiores janë interesuar për ju?

Kam pasur dhe kam oferta konkrete nga klube në Shqipëri, por nuk do ua përmend emrin, pasi këtu opsioni i parë do të jetë Kukësi.

Te Kukësi fituat tri trofe: titull, Kupë dhe Superkupë. Jeni ndier i vlerësuar apo mendoni se trajtimi ndaj jush nuk ka qenë në nivelin maksimal?

Unë mendoj që ia kam dal “hakut” Kukësit, pasi për 1 vit e gjysmë kam shënuar mbi 20 gola. Tani arrita të shënoj edhe në Champions, por po të isha më shumë në fushë do të bëja edhe më mirë. Më duhet të pranoj se kam sakrifikuar shumë, duke u rikthyer edhe në mesfushë, vetëm e vetëm të ndihmoja skuadrën që të kapnim objektivat. Pavarësisht gjithçkaje, unë kam dhënë maksimumin, sepse jam profesionist. Të tjerët e dinë më mirë nëse më kanë nënvlerësuar apo jo.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"