Emini: I eklipsojmë korçarët, jemi skuadra më në formë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2016 | 12:41

Emini: I eklipsojmë korçarët, jemi skuadra më në formë

Izair Emini “prenoton” rikthimin te goli kundër Skënderbeut. Sulmuesi më i mirë i Kukësit është i bindur se më këtë formë që po kalon skuadra, nuk ka shanse të ndalet ndaj korçarëve.emini

Në një intervistë për “Panorama Sport”, tetovari flet për ndeshjen e radhës, si dhe momentin e shkëlqyer në kampionat dhe Kupë. Sipas tij, sfida me Skënderbeun do të jetë një barometër për Kukësin. “Do t’i eklipsojmë kampionët”, ka thënë dje autori i 7 golave në kampionat me skuadrën verilindore.

Izair, në këtë pjesë të dytë të sezonit Kukësi po shkëlqen në kampionat dhe Kupë. Kush është sekreti i këtij suksesi?

Realisht ekipi po ecën mjaft mirë dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë rritëm deri në fund. Sekreti i këtij suksesi të deritanishëm mendoj se është fryma e grupit dhe atmosfera e mirë që kemi në skuadër.

Keni thyer edhe tabunë e transfertave, mos ndoshta kjo ju ka ngritur edhe më shumë psikologjikisht për vazhdimësinë?

Kam dëgjuar se Kukësi i ka pasur tabu transfertat, mirëpo që nga janari që unë jam pjesë e skuadrës, nuk shoh se ekipi ynë i ka problem ndeshjet jashtë fushe. Jemi më ndryshe dhe nuk e kemi këtë ngërç, që ndoshta ka qenë momental dhe ka ndikuar në pjesën e parë të sezonit.

Nesër prisni Skënderbeun kryesues, është ky momenti i së vërtetës për forcën që ka Kukësi?

Të them të drejtën, me Skënderbeun do të jetë si një derbi. Unë mendoj se ekipi i vendit të parë do të ketë përballë skuadrën më në formë të kampionatit. Unë u bëj thirrje tifozëve që të jenë sa më të shumtë në stadium dhe ta shijojnë këtë ndeshje. Jam 100% i bindur që do të jemi ne fituesit. Në Kukës kampionët do të eklipsohen, sepse me formën që po kalon skuadra, nuk besoj se mund të na ndalë kush në këtë moment. Kjo është sfida ku ne si skuadër do të tregojmë forcën tonë dhe gjykoj se do të jetë një sinjal i vërtetë për të gjithë kundërshtarët.

A keni miqësi me ndonjë prej lojtarëve të Skënderbeut?

Personalisht njoh vetëm Valmir Nafiun, por nuk e di nëse ai do të jetë titullar për t’i thënë ndonjë gjë në prag të kësaj sfide.

Fakti që nga kjo ndeshje dhe ajo kundër Partizanit mund të kalojë titulli kampion, ju bën përshtypje?

Ne do t’i presim në Kukës të dyja skuadrat dhe do të mundohemi të bëjmë sa më mirë në mënyrë që të marrim pikët e plota, duke siguruar vendin e tretë. Nuk na interesojnë punët e të tjerëve, ne duam që t’i mundim që të dyja, pasi kështu i bëjmë nder vetes tonë. Skënderbeu la 7 lojtarë titullarë në stol në ndeshjen e Kupës, në një kohë që Kukësi luajti me formacionin më të mirë në Vlorë.

A mendon se mund të ndikoj lodhja të dielën?

Kjo pak na intereson ne si Kukës, sepse kundërshtarët kanë planet e veta dhe secili di si vepron. E njëjta gjë vlen edhe për ne, pasi klubi ka strategjitë e veta. Rëndësi ka që ne të jemi OK, por siç e thashë më lart, po kalojmë një formë të mirë dhe nuk na ndal asgjë.

U bënë tri ndeshje radhazi që nuk shënoni, ju vendos nën presion ky fakt?

Jo, nuk kam ndonjë presion. Thjesht mësoj se do të filloj nga kjo javë që të shënoj. Jam i qetë, pasi skuadra po ecën shumë mirë. Golat e mi do të vijnë, për këtë ndihem i sigurt.

Me aq sa njihni kampionatin shqiptar, kush mendoni se ka grupin më të mirë të lojtarëve?

Unë jam pjesë e Kukësit dhe shikoj ekipin tim si më të mirin, por kam respekt për ekipe si Skënderbeu, Partizani, Teuta dhe Tirana.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"