Eminhazeri: Korçarë, fitojmë dhe festojmë ne!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2012 | 12:31

Eminhazeri: Korçarë, fitojmë dhe festojmë ne!

Luftë nervash po zhvillohet mes Pogradecit dhe Skënderbeut, teksa i pari kërkon mbijetesën dhe i dyti titullin. Nga ana tjetër, Apolonia pretendon që me një ndalje të liqenorëve të bëjë rokadë pozicionesh me ta. Ky është një shqetësim më vete për skuadrën pogradecare, por që për momentin është fokusuar veçse te ndeshja kundër korçarëve. Sulmuesi kosovar, Isa Eminhazeri, i cili ka 2 vjet që luan me Pogradecin, kërkon që në takimin me Skënderbeun të tregojnë vlerat e vërteta. Nga ana tjetër, ai thotë se nëse mobilizohen, do të arrijnë rezultatin e dëshirueshëm. “Ashtu siç janë rrokullisur gjërat, nuk kemi rrugë tjetër veçse të përballemi me dinjitet ndaj një Skënderbeu që lufton për titullin kampion dhe të bëjmë tonat 3 pikët, të cilat na mbajnë në Superiore. Sigurisht që gjithçka është e vështirë kur ke përballë ekipin më të paguar të kampionatit. Ne po stërvitemi dhe do të bëjmë një lojë të ndershme, në një sfidë ku luhet fati ynë. Të gjithë pa përjashtim do të zbresim në fushë për fitore, mbasi nuk na hyn në punë rezultat tjetër. Kam bindjen se ne do të dimë ta përballojmë si duhet këtë kundërshtar dhe do ta nderojmë fanellën tonë. Kjo përplasje do të na bëjë të mendojmë vetëm për veten. Kemi pasur mjaft luhatje fazën e dytë dhe kjo po na penalizon tani. Një pjesë e mirë e formacionit janë korçarë, por ata edhe pse do të luajnë kundër qytetit të tyre, me siguri do të bëjnë lojën e zakonshme si në një ditë të kampionatit. Ne do ta respektojmë kundërshtarin nga fillimi i ndeshjes e deri në fund, por gjithmonë duke parë interesat tona. E kam shumë të vështirë ta pranoj humbjen, edhe pse luajmë ndaj gjigandëve të Skënderbeut. Duke bërë analizën e çdo ndeshjeje, mund të them se nuk duhej të arrinim deri këtu, ndaj është momenti që t’i korrigjojmë të gjitha gabimet duke bërë një lojë kolektive dhe rezultative. Përpjekjet tona do të jenë deri në fund të takimit ku mbas dënimeve të dhëna ndaj disa ekipeve shpresojmë për mbijetesë. Dua të jem pjesë e golit dhe ta mbyll individualisht me gol. Kam besim tek shokët e mi të grupit se do të arrijmë më të mirën ndaj Skënderbeut”, – përfundon Eminhazeri.
Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"