Emiljano Vila: Kupa një ëndërr, të ardhmen e vendos pas Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 23:18

Emiljano Vila: Kupa një ëndërr, të ardhmen e vendos pas Europës

Është gjithmonë e vështirë të gjesh fjalët e duhura për të treguar se si ndihet një futbollist që sapo është ngjitur në majën e podiumit. Por Emiliano Vila është i thjeshtë. Tregon se si ndihet pas këtij trofeu. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori durrsak i Teutës e ndan këtë trofe me tifozët dhe me të gjithë shokët e skuadrës, që e kanë merituar dhe e kanë fituar. Por Vila e quan si një plotësim dëshirë këtë trofe, pasi që kur u largua nga Teuta, gjithmonë e ka dëshiruar një kupë aty ku u rrit si futbollist, pikërisht në shtëpinë e tij në Durrës. Vila shprehet se me pak fat durrsakët mund t’ia dalin mbanë në këtë kompeticion.

emiliano vila

Emiljano, sollët kupën pas 15 vitesh, çfarë ndjesie keni?

Dëshiroj nga zemra të përshëndes të gjithë shokët dhe tifozët e Teutës për mbështetjen e dhënë! Është një ndjenjë e papërshkrueshme të mbash në dorë Kupën e Shqipërisë në këtë 100-vjetor. Faleminderit të gjithëve.

Realizuat ëndrrën e një qytetit. Pas 15 vitesh fitoni Kupën e Shqipërisë?

Jam shumë i kënaqur që ky sezon u mbyll me këtë kupë. Unë quaj trofe edhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Është hera e katërt që ky trofe i vjen qytetit dhe ekipit. Çunat e meritojnë. Ia dedikoj trofeun qytetit të Durrësit.

Çfarë do të thotë për një durrsak të fitojë Kupën me ekipin e tij?

Shiko, unë kam qenë pjesë e Teutës në sezonin 2007/ 2008 ku luftuam deri në fund për titullin kampion dhe nuk ia arritëm. Më pas u transferova në Kroaci. Unë thjesht e doja një trofe me ekipin ku u rrita. Jam i lumtur që arrita këtë gjë dhe që u vlerësova nga njerëzit. Është një nder i madh për mua që e kurorëzova në këtë mënyrë vitin futbollistik. Është diçka speciale. Realisht kam bërë futboll të mirë këtë sezon. Për këtë fakt jam i lumtur. Pra është një plotësim dëshire.emiliano vila

Pas Kupës çfarë objektivash keni, duke qenë se në prag është Europa League?

Të hënën nisim përgatitjet për dy ndeshjet e para në Europë, ku kemi si synim të kalojmë të paktën një raund. Tashmë nga e hëna do të jemi në fazën fillestare të përgatitjeve, sepse sapo do të kthehemi nga pushimet. E rëndësishme është që të punojmë fort për të qenë gati për dy ndeshjet e Europës, pastaj shpresojmë të kemi edhe pak fat në short, në mënyrë që përballë të kemi një kundërshtar jo shumë të fortë. Ne kemi besim se do të bëjmë një paraqitje dinjitoze në Europë. Momentalisht duhet të fokusohemi vetëm te puna dhe po presim me padurim të njihemi me kundërshtarin.

Çfarë synimesh keni për të ardhmen?

Në radhë të parë duhet që të fitojmë ndeshjet e radhës, në Europë dhe më pas të mendojmë për kampionatin, ndërsa unë shpresoj që të ndihmoj me lojën time sa më shumë ekipin në realizimin e synimeve që ka.

Keni menduar për të ardhmen, ku do t’ju shohim sezonin e ri?

Është ende shpejt për të folur për këtë, por çdo futbollist ka dëshirë të tregojë veten e tij në Europë. Unë tashmë që ka përfunduar ky sezoni, do të ulem të bisedoj me presidencën dhe do të vendosim për të ardhmen.

Momenti më i bukur i këtij rrugëtimi?

Zgjedh Kupën, pasi na e bëri më të lehtë arritjen në Europë.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"