Emiliano Vila: Tirana të hap punë, duhet maksimumi për tre pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2021 | 19:03

Emiliano Vila: Tirana të hap punë, duhet maksimumi për tre pikët

“Djemtë e detit” luajnë një ndeshje shumë të rëndësishme ditën e diel, teksa përballë do të kenë Tiranën, një ekip që ndan renditjen me blutë, ndërsa bregdetarët do të synojnë sërish mbajtjen e kurorës. Në prag të kësaj sfide, për “Panorama Sport” ka folur mesfushori i Teutës, Emiliano Vila, i cili është shprehur se do të jetë një ndeshje e vështirë, por skuadra e tij do të kërkojë me çdo kusht të marrë tri pikët.

emiljano vila

Sa të rëndësishme ishin tri pikë para pauzës?
Teuta ndaj Kukësit e kishte përgatitur ndeshjen për fitore, por normalisht që duhet të ishim edhe të kujdesshëm. Kukësi kur ka përballë ekipe që lënë hapësira, është shumë e rrezikshme dhe mendoj ashtu siç shkoi fitorja jonë, ishte rezultati më i drejtë, pasi dhamë më shumë për të fituar, kështu që ajo fitore na la të kënaqur.

Keni një ndeshje me Tiranën që luftojnë për titull dhe që duket sikur ia keni marrë dorën. Çfarë prisni?
Mendoj që është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht e vështirë, sepse për vetë objektivat dhe pretendimet që kemi duhet të fitojmë. Nuk duhet të mendojmë për rivalët, duhet të shohim ndeshjen e radhës me Tiranën, të dalim me sukses dhe ta përgatisim siç duhet, sepse kanë një ekip që të hapin punë duhet të jemi të kujdesshëm dhe bëjmë maksimumin për të marrë tri pikët.

Do të jetë ndeshja direkte me Tiranën ajo që mund të vendosë për vazhdimësinë?
Deri të dielën ka kohë, siç e thashë është një ndeshje e vështirë dhe duhet të marrim maksimumin nga ajo. Normale që do jetë një përballje direkte me ekipet që pretendojnë për të fituar titullin, por nuk duhet ta mendojmë dhe të futemi në trysninë e kësaj ndeshjeje, duhet të fitojmë edhe t’i marrim sfidat me radhë.

Fakti që pësoni pak gola, mjafton kjo për të shkuar te titulli?
Pa dyshim që është një bonus i madh kur nuk pëson gola, por që të shkosh te titulli nuk duhet vetëm të pësosh, por edhe të shënosh. Mendoj siç po shënon sulmi, edhe këtu kanë të gjithë meritën që nuk pësojmë gola, unë uroj dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë pjesë që të mos pësojmë prapa, sepse avantazhet janë të mëdha. Duke fituar ndeshjet, ne shkojmë tek objektivi që kemi.

Sa shanse mendoni se ka Teuta për të qenë e para në fund të këtij kampionati?
Të them të drejtën tani jemi shumë pak ekipe që kemi pak diferencë më pikët, kështu që është një garë shumë e vështirë, por edhe shumë e fortë. Unë kam besim te forca e grupit të skuadrës sime, tek të gjithë djemtë e ekipit kam besim që në fund të sezonit të dalim të parët gjë që do të ishte një sukses i madh për ne.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"