Emblema e futbollit gjirokastrit: Abazaj më kujton Seitin, Luftëtari po realizon një ëndërr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2018 | 18:43

Emblema e futbollit gjirokastrit: Abazaj më kujton Seitin, Luftëtari po realizon një ëndërr

Luftëtari, pas barazimit 2-2 me Partizanin, do të udhëtojë në fundjavë më shumë se i qetë drejt të Kukësit. Me objektiv fundor përfaqësimin në Ligën e Europës, bluzinjtë, pa praninë e “dirigjentit” të mesfushës, Eduart Rroca, mbeten të prirur për të mos njohur rezultat negativ deri në fund të kampionatit. Më shumë se rezultatet, për Luftëtarin flet loja e bukur dhe kombinative në të tria repartet, mbrojtje-mesfushë-sulm. Për të rikthyer në memorie të shkuarën e ndritshme të bluzinjve do të mjaftonte për “Panorama Sport”, opinioni i “Mjeshtrit të Merituar të Sportit”, Sefedin Braho, një ditë pas barazimit 2-2 me të kuqtë e kryeqytetit.

Sefedin Braho

“Jam djalë gjirokastrit, u linda dhe u bëra lojtar te Luftëtari. Jam krenar për gjithçka që kam dhënë për fanellën e qytetit tim. Kur shikoj në fushën e lojës lojtarë të kalibrit Abazaj, Bregu, Rroca, Ramdani, Aleksi, Shkurtaj dhe të tjerë, të cilët më duhen të më mirëkuptojnë, mbushem me frymë në shkallët e stadiumit. Të përjetosh emocionet e golit të parë të Luftëtarit me autor Abazaj, më vijnë në mendje golat e Luan Seitit të realizuar nga kënde të vështira. Luftëtari ka bërë më mirë nga sa pritej dhe për këtë meriton mbështetje pa kufi. Trajneri Hasan Lika, programatori i grupit me shumë potencialitet dhe presidenti Grigor Tavo, janë dhe do të mbeten kontribuuesit më të suksesshëm të Luftëtarit për misionin e pritshëm. Të përfaqësohesh në Europë, nuk është rastësi.

Luftëtari nuk e ka arritur matematikisht, por është i sigurt dhe në lojë. Kjo është një arritje e lakmuar që në kohën tonë, një ëndërr e mbetur në sirtarë”, u shpreh emblema e gjallë e futbollit gjirokastrit, Sefedin Braho. Disa orë pas barazimit me të kuqtë, gjirokastritët, nën drejtimin e stafit teknik, kanë nisur menjëherë punën për ndeshjen e radhës, ku i pret transferta e Kukësit. Rezultati pozitiv në këtë takim ia bën të sigurt Luftëtarit prerjen e biletës për në Kupat e Europës.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"